Vetëm tri ditë na ndajnë nga seanca e ftuar për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, teksa shumica e partive politike të vendit janë deklaruar pro mbajtjes së zgjedhjeve.
Mirëpo përfaqësues të subjekteve politike dhe analistë shprehen skeptikë se shpërndarja e Kuvendit do të ndodhë në këtë datë, për shkak se, sipas tyre, ndonjëra nga partitë mund të ndërrojë qëndrimin dhe potencialisht të kontribuojë në formimin e një qeverie të re teknike.
Duke i komentuar deklaratat e partive opozitare se PDK-ja mund ta ndërrojë qasjen sa u përket zgjedhjeve, shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Memli Krasniqi, për “Zërin” ka thënë se PDK-ja nuk ka asnjë alternativë tjetër, pos rilegjimitetit të qeverisë përmes zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
“Kushdo që ende e vë në dyshim shpërndarjen e Kuvendit më 22 gusht dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, e bën këtë vetëm nga frika e humbjes që e pret në fund të këtij procesi. Për PDK-në nuk është e pranueshme asnjë alternative tjetër, përveç rikthimit të legjitimitetit përmes votës së qytetareve”, ka deklaruar Krasniqi.
Të njëjtën gjë e ka theksuar edhe kreu i PDK-së Kadri Veseli në një intervistë për “Zërin”, ku ka shtuar se 22 gushti është data kur Kuvendi i Kosovës do të shpërndahet.
“Më 22 gusht është caktuar seanca për shpërndarje të Kuvendit dhe shumë shpejt do të caktohet data e zgjedhjeve të reja të parakohshme. PDK-ja do t’i fitojë këto zgjedhje. Nuk kam lejuar në asnjë mënyrë që unë dhe PDK-ja të bëhemi pjesë e ndonjë iniciative të re për ta arnuar vazhdimin e qeverisë, sepse besoj që institucioneve tona u duhet një legjitimitet i ri qytetar”, ka thënë Veseli.