Krasniqi: PAN ka marrëveshje me deputetët individualisht për formimin e qeverisë

Koalicioni PDK-AAK-Nisma është i bindur se tashmë ka siguruar mbështetjen e me shumë se 61 deputetëve për formimin e qeverisë së re të Kosovës, të cilën do ta udhëheqë kandidati për kryeministër nga radhët e këtij koalicioni, Ramush Haradinaj. Në mungesë të diskutimit me subjektet tjera, nënkryetari i PDK-së Memli Krasniqi tha se në mënyrë krejt legjitime kanë diskutuar dhe arritur marrëveshje me deputetë individualisht.
Krasniqi në një intervistë për KosovaPress, thotë se nuk do të ketë aspak humbje kohe dhe se qeveria dhe konstituimi i Kuvendit do të bëhet brenda afateve ligjore dhe në kohë sa më të shpejtë. Ai tha se tashmë janë bërë negociatat me deputetët e partive të minoriteteve, derisa shpejt pritet të arrihen edhe marrëveshjet formale.

Por, është i bindur se i kanë siguruar edhe disa deputetë tjerë me të cilët do ta formojnë Qeverinë e re, por nuk ka zbuluar se kush janë deputetët që do ta votojnë Qeverinë Haradinaj. “Unë nuk besoj, unë e di që i kemi më shumë se 61 deputetë. Nuk është e imja t’ju tregoj sot emrat e deputetëve, sepse besoj se të gjithë deputetët, edhe tanët, edhe minoritarët do ta bëjnë publike qëndrimet e tyre, do t’i japin votat në mënyrë publike. Është çështje e ditës dhe është shumë e nevojshme që të mos humbet kohë me procedura, sepse boll është humbur kohë në mungesë të vendimmarrjes në qeverisjen e kaluar”, tha Krasniqi.

Ai e ka quajtur jo korrekt refuzimin e subjekteve që humbën zgjedhjet, koalicioni LAA dhe Vetëvendosje për t’iu përgjigjur ftesës së tyre për të diskutuar rreth platformës qeverisës, andaj kjo i ka detyruar që të flasin individualisht me deputetë të tyre, duke arritur edhe marrëveshje. “Unë besoj se do të ishte krejtësisht korrekte që edhe partitë humbëse të zgjedhjeve të kishin kurajën për të biseduar me mandatarin tonë, koalicionin tonë, jo domosdoshmërisht për të bërë qeveri të përbashkët, por për t’i njoftuar se çfarë qeverie ne mendojmë ta bëjmë, cilat janë prioritetet tona dhe cili është programi ynë i bazuar në platformën e prezantuar gjatë fushatës. Nga qëndrimi i tyre rigjid shihet se nuk e kanë sigurinë as për të biseduar, por ky nuk është problemi ynë, por i tyre. Normalisht, në mungesë të kësaj atëherë është krejtësisht legjitime që diskutimet të bëhen edhe me deputetët individualisht. Po…”, u shpreh Krasniqi.

Në bazë të kësaj, Krasniqi thotë se deri në fund të muajit korrik do të formohet qeveria dhe do të bëhet konstituimi i Kuvendit. “Unë e kam deklaruar edhe më herë që, insistimi, angazhimi dhe vullneti ynë i përbashkët, është që qeveria të votohet dhe të jetë në funksion para fundit të muajit korrik”, tha Krasniqi.

PDK ende nuk i ka caktuar as propozimet për kryetar të Kuvendit e as ata për dikasterët qeveritare. Krasniqi thotë se gjatë kësaj kohe fokusi i PDK-së ka qenë i ndërlidhur me themelimin e Qeverisë, me konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve, funksionalizimin sa me të shpejtë të tyre. “Kështu që ende si PDK nuk i kemi finalizuar propozimet as vendimet tona, as për kreun e Kuvendit dhe as për pozicionet në Qeverinë e Kosovës që do t’i kenë të propozuarit e PDK-së. Por kjo është një çështje që për ne nuk paraqet ndonjë sfidë të madhe dhe besoj se në momentin kur të kemi data të caktuara edhe për seancë konstituive shumë shpejt do t’i përcaktojmë njerëzit, të cilët do të marrin përgjegjësi institucionale, duke filluar nga kreu i Kuvendit, por edhe në Qeveri”, tha Krasniqi.

Duke folur rreth një qeverie që do të ketë pak numra në Kuvend, Krasniqi tha se nuk luan rol të madh se sa deputetë do t’i ketë në mbështetje qeveria e ardhshme, por se sa do të jetë e fuqishme në marrjen e vendimeve të mëdha. “Ne kemi parë se kemi pasur me shumë se dy të tretat në mandatin e kaluar në qeverinë e udhëhequr nga Isa Mustafa dhe ai nuk ka arritur të shtyjë proceset përpara, nuk kemi arritur as t’i dërgojmë në Kuvend shumë vendime të rëndësishme për qytetarët e Kosovës. Derisa kemi pasur një kohë të caktuar një periudhë në Qeverinë Thaçi 2, më pak se 61 deputetë një kohë shumë të gjatë dhe janë marrë më shumë vendime se sa këtë qeverinë e numrave të fuqishëm. Kështu që ajo që vlen është puna, dinamika me të cilën ajo qeveri funksionon për çka jam i bindur se qeveria e ardhshme do ta ketë maksimale”, ka thënë Krasniqi.

Ai shprehet i bindur se nuk do të ketë herë të dytë për krijimin e Qeverisë, pasi sipas tij, një gjë e tillë do të bëhet qysh me herën e parë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme