Kanë mbetur edhe dhjetë ditë afat për të aplikuar në blerjen e banese me kredi zero nga punonjësit e administratës.
Ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhja, rikujtoi afatin e mbylljes së aplikimeve teksa sjell në vëmendje se deri më tani në “e-Albania” kanë ardhur mbi 1,000 aplikime që nga hapja e thirrjes më 11 mars 2025. “Mbi 1,000 aplikime për kredi me 0% interes për blerjen e një banese për punonjës të administratës publike! Nëse nuk keni aplikuar ende, afati i fundit është data 10 prill, ora 10:00 në ‘e-Albania’”.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit hapi thirrjen më 11 mars për aplikim për kredi me 0% interes për blerjen e një banese për 530 punonjës të administratës publike. Ky është viti i dytë që qeveria mbështet punonjësit e administratës me kredi për strehim me zero interes.
PERFITUESIT
Ndryshe nga viti i kaluar, këtë vit nuk do të jenë vetëm 300 përfitues nga programi i subvencionimit të kredive për shtëpi, por 530 të tillë të shpërndarë në 12 ministri, përfshirë edhe Kryeministrinë. Është ky vendimi që qeveria ka ndërmarrë që në muajin e parë të vitit. Me zgjerimin e gamës së përfituesve janë shtuar edhe disa ministri të tjera, ndërkohë që në disa prej atyre të vitit të kaluar vihet re shtesë kuotash.
Shanset për kredi për shtëpi me zero interes i kanë punonjësit në 2/3 e ministrive dhe drejtorive e agjencive të linjës, numri i të cilave është ndarë jo proporcionalisht (sipas tabelës përbri shkrimit).
Më shumë prioritet iu është dhënë Ministrisë së Brendshme, asaj të Arsimit dhe Sportit dhe Ministrisë së Shëndetësisë, pasi thuajse gjysma e kuotave shkojnë në favor të tyre. Më tej, secila ministri me përjashtim të Ministrisë së Shtetit për Fëmijët, Ministrisë për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Ministrisë për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ministrisë për Administratën Publike dhe asaj për pushtetin vendor do të kenë përkatësisht nga 30 kuota. Pra, siç vihet re, punonjësit e ministrive pa portofol nuk do të kenë kurrfarë përfitimi nga ky vendim.
APLIKIMET
Me vendimin që daton në 9 janar është përcaktuar numri i kuotave, i ndryshëm nga ai i një viti më parë bashkë me kriteret e përzgjedhjes (jepen në tri tabelat shoqëruese të shkrimit), të ndryshme për administratën dhe Ministritë e Brendshme dhe Mbrojtjes. Në secilin rast, mospasja e një banese në pronësi, një banesë nën normën minimale të strehimit apo humbja e saj për shkaqe natyrore ose jo përbën prioritet, bashkë me kushtet ekonomike dhe familjare ku synohet përzgjedhja e atyre që kanë kohë të gjatë pune në administratë si dhe iu përkasin kategorive sociale që duhen ndihmuar. Prioritet gjithashtu përbëjnë dhe punonjësit që i përkasin kategorisë “familje e re” referuar përcaktimeve të ligjit nr.22/2018, të ndryshuar dhe gjithashtu janë në një moshë jo më të madhe se 40 vjeç, pa lënë mënjanë familjet një prindërore.
Bazuar në këto tregues që paraqiten në tabelat referuese hartohet një sistem pikëzimi, ku përzgjidhen ata që janë më në nevojë dhe grumbullojnë më tepër pikë. Për çdo aplikant grumbullohet një sasi pikësh dhe renditen në listën e përfituese deri në zerimin e kuotave. Vendimi përcakton se në rast se rezultojnë më shumë kandidatë me pikë të barabarta se sa kuotat e përcaktuara në vendim, përzgjedhja e tyre realizohet sipas sistemit të pikëzimit të përcaktuar nga institucioni përkatës për të realizuar numrin e kuotave të përcaktuara.