Kreditë e buta për punonjësit e administratës, ndarja e 300 përfituesve sipas gjashtë ministrive! Zbardhet vendimi i plotë, ja afati i fundit për të aplikuar

VOLTIZA DURO/ Punonjësit e administratës publike mund të aplikojnë deri në 14 gusht për kredi me 0% interes për të blerë një banesë.


16381809791

Lajmi është bërë me dije ditën e djeshme nga Ministria e Mbrojtjes, e cila u ka bërë thirrje punonjësve të administratës publike, ndër institucionet që kualifikohen sivjet, që të aplikojnë për kredi me 0% interes dhe të realizojnë ëndrrën e tyre për të blerë një shtëpi të re, pa u shqetësuar për kostot e larta të interesit. Ministria më tej nënvizoi se afati i fundit i aplikimit është data 14.08.2024, ora 09:00. Më tej, Ministria e Brendshme ka sjellë dëshminë e një prej 300 përfituesve nga aplikimet për kredi të lehtësuar.

“Kapiten Brikena Kita është vetëm një prej 300 përfituesve nga aplikimet për trajtimin me kredi të lehtësuar, 0% interes, për blerjen e banesës”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Më tej përfituesja shprehet se falë kredisë me 0% interes për punonjësit e administratës publike sot ka shtëpinë e saj.

“Aplikova në portalin E-Albania në lidhje me kreditë me 0 interes si punonjëse e administratës shtetërore nën Ministrinë e Mbrojtjes. Dhe falë këtij aplikacioni unë dola fituese. Sot unë dhe familja ime jemi në shtëpinë tonë, fazë e cila është shumë e rëndësishme në një periudhë të jetës sonë”, shprehet ajo.

NDARJA E KUOTAVE

Sipas vendimit të miratuar nga qeveria, 300 punonjës të administratës publike do të përfitojnë kredi me zero interes për vitin 2024. Më poshtë publikohet i plotë vendimi “Për miratimin e kuotave të përgjithshme të kredive të reja për kategoritë prioritare të të punësuarve përfitues në administratën publike e Këshillit të Ministrave”. Në këtë vendim bëhet dhe ndarja e kuotave të punonjësve përfitues sipas ministrive përkatëse. “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 64/3 e 64/5, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave vendosi: Kuotat e përgjithshme të kredive të lehtësuara për administratën publike për vitin 2024 janë, gjithsej, 300 (treqind) dhe ndahen, si më poshtë vijon:

a) 90 (nëntëdhjetë) për Ministrinë e Brendshme;

b) 90 (nëntëdhjetë) për Ministrinë e Mbrojtjes;

c) 30 (tridhjetë) për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;

ç) 30 (tridhjetë) për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit;

d) 45 (dyzet e pesë) për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;

dh) 15 (pesëmbëdhjetë) për Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit,- thuhet në vendimin e qeverisë.

Specifikisht përfituesit në Ministrinë e Mbrojtjes, në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale si dhe në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit do të përzgjidhen në bazë kritereve të parashikuara në sistemin e pikëzimit të përcaktuar në tabelën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi. “Përfituesit e Ministrisë së Brendshme do të përzgjidhen në bazë të kritereve të parashikuara në sistemin e pikëzimit të përcaktuar në tabelën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Përfituesit për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit janë punonjësit arsimorë në institucionet publike të arsimit parauniversitar, si pjesë e administratës publike, dhe përzgjidhen në bazë kritereve të parashikuara në sistemin e pikëzimit të përcaktuar në tabelën 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi”, citohet në vendimin e miratuar.

Në rast se rezultojnë më shumë kandidatë me pikë të barabarta sesa kuotat e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, dhe tabelat bashkëlidhur, përzgjedhja e tyre realizohet sipas sistemit të pikëzimit të përcaktuar nga institucioni përfitues, për të realizuar numrin e kuotave të përcaktuara. Punonjësit e administratës publike të përzgjedhur përfitojnë kredi të lehtësuar me interes 0 (zero) %.

“Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Financave dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren zyrtare”, thuhet në vendim.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme