Gazetar: Lluka Andreev
Maqedonia feston Ditën e Kryengritjes Kombëtare dhe Fitores mbi Fashizmin. Manifestimi qendror u mbajt para Monumentit përkujtimor të luftëtarëve të rënë në Kumanovë, ku delegacioni qeveritar u drejtua nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, shkruan Alsat.mk.
Kryeministri me këtë rast tha se vendi sot është në rrugën e duhur dhe duhet të vazhdojë në drejtim të përmbushjes së qëllimeve strategjike shtetërore dhe kombëtare. Sipas Kovaçevskit, lufta tani vazhdon kundër, siç theksoi ai, formës moderne të fashizmit, gjegjësisht ideve të etnonacionalizmit dhe ksenofobisë. Kovaçevski shtoi se kjo e keqe duhet të parandalohet dhe në të njëjtën kohë të mos lejohet të imponohet agjendë anti-evropiane.
“Agjenda anti-evropiane çon në jetë jashtë, në vend të huaj, çon në Maqedoni pa njerëz dhe vetëm kjo do të thotë kërcënim për shtetin maqedonas, gjuhën maqedonase dhe identitetin maqedonas. Kjo është arsyeja pse agjenda anti-europiane është agjendë anti-maqedonase”, Dimitar Kovaçevski, Kryetar i Qeverisë.
Në mesazhin e tij të urimit për 11 Tetorin, Presidenti Stevo Pendarovski iu referua edhe emigracionit. Ai kujtoi se pikërisht të rinjtë ishin ata që ishin bartës në luftën antifashiste.
“Duke u përqendruar në të mirën e përbashkët dhe interesin publik, ne do të krijojmë kushte që të rinjtë tanë të qëndrojnë në atdheun e tyre dhe këtu të angazhohen në betejat për përparim në çdo fushë të jetës”, deklaroi Stevo Pendarovski, President.
Nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi tha se nuk harrohen viktimat dhe aksionet e të gjithë heronjve që qëndruan në anën e vërtetë, në anën e drejtësisë.
“Ajo betejë u fitua, megjithatë, për fat të keq, betejat vazhdojnë çdo ditë në dimensione të tjera të jetës dhe sfida po rritet çdo ditë. Lajmet e tmerrshme që dëgjojmë nga rajonet e afërta dhe të largëta janë një alarm dhe kujtesë se paqja është e brishtë dhe duhet të kultivohet, të ruhet dhe të mbrohet, brenda dhe jashtë”, thotë Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski theksoi se kjo ditë ishte fillimi i luftës së popullit maqedonas kundër pushtuesit fashist bullgar.
“Është e rëndësishme të respektojmë dhe të mësojmë nga historia, të mësojmë nga gabimet, të jemi të bashkuar dhe të unifikuar, të dëgjojmë zërin e popullit dhe t’u kundërvihemi atyre që shesin, negociojnë dhe shantazhojnë”, u shpreh Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Ndryshe, festa e sotme u festua në të gjithë vendin, dhe veçanërisht në qytetet ku ndodhën sulmet e para të armatosura, në Kumanovë dhe Prilep. /Alsat.mk