Kreu i BDI-së Ali Ahmeti nga para Kushtetueses porositi kryeministrin Mickoski se edhe durimi ka fund

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti nga tendat e vendosura përpara Gjykatës Kushtetuese, me porosi për kryeministrin Hristijan Mickoski dhe Gjykatën Kushtetuese. Ahmeti tha se nuk guxon të preket në palcën e shqiptarëve, pasi kjo nuk është në të mirë të askujt. Sipas tij protesta nuk ka të bëjë me pohimet e Mickoskit se BDI-ja dëshiron të krijojë mjegull për shkak të krimeve të bëra.

“Respektoni Marrëveshjen e Ohrit dhe mos cenoni dhe mos prekni në palcën e shqiptarëve sepse nuk është mirë as për ju as për ne. Ky shtet është i përbashkët. Asnjëherë nuk kemi kontestuar as gjuhën e bashkëqytetarëve as historinë e bashkëqytetarëve. Prandaj mos i prekni në palcë shqiptarët sepse edhe durimi ka një fund”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së- Fronti Europian.

Ahmeti kritikoi edhe përfaqësuesit e koalicionit Vlen, për siç tha ndryshim të përditshëm të qëndrimeve.

“Sa për këta tanë që brenda një muaji ndërrojnë ditë për ditë qëndrimet. Fillimisht gjuha shqipe nuk ishte zyrtare e tani na u bë zyrtare dhe dalëzotës janë bërë dhe janë trimëruar. E di unë sa trima janë. Aq trimëri kanë sa një mace të rrëzojë enët në kuzhinë. Aq është takati i tyre”, shtoi ai.

Ahmeti bashkë me krerët e Frontit, në Shkup erdhën pas takimit të mbajtur në Reçicë të Vogël në Tetovë ku paraprakisht u mblodhën partnerët e Frontit Evropian dhe kryesia e BDI-së për të diskutuar për hapat e mëtutjeshëm. Për të tërhequr tendat nga Gjykata Kushtetuese, Fronti kërkon garanci se gjuha shqipe nuk do të preket./Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme