Rreth 30 orë pas tragjedisë që tronditi jo vetëm qytetin e tij, por mbarë Maqedoninë dhe botën, jep dorëheqjen kreu i Komunës së Koçanit, Lupço Papazov. Paralajmërimi për dorëheqje ishte deklarata e parë dhe e fundit publike e Papazovit, pas zjarrit në klubin e natës “Pulse” ku mbetën të vdekur 59 persona ndërsa mbi 150 të tjerë u lënduan. Kreu i Koçanit dje nuk u duk fare në vendin e ngjarjes, nuk pati asnjë prononcim dhe ishte i pakapshëm për mediat. Dorëheqjen e paralajmëroi në rrjetet sociale. Papazov theksoi se dorëheqjen e jep për arsye morale, sepse siç thonë nuk ka kompetenca sa i përket ngjarjes tragjike.
“Duhet të hetohen të gjitha detajet, të zbulohen të gjitha mangësitë, ndërsa të gjithë ata që kanë kontribuuar për këtë tragjedi duhet të mbajnë përgjegjësi. Edhe pse në bazë të ligjit nuk kisha kompetenca direkte në këtë rast, jam i gatshëm t’u përgjigjem të gjitha pyetjeve për gjithçka, përfshirë për veprimet e mia personale…Nëse ekziston çfarëdo dyshimi për përgjegjësinë time, i bëj thirrje prokurorisë ta hetojë atë dhe të veprojë në bazë të ligjit”, ka shkruar Lupço Papazov, Kryetar i Koçanit në dorëheqje.
Kryeministri Mickoski përsëriti se kreu i Koçanit nuk ka kurrfarë përgjegjësie ndërsa dorëheqjen e jep për arsye morale.
“Kreu i Komunës pa kurrfarë përgjegjësie është i virtytshëm prandaj dha sot dorëheqjen, në këtë situatë asgjë nuk varet nga ai…mund të ma hidhni mua fajin, ja unë jam fajtor…objekti është legalizuar në përputhje me ligjin për legalizimin e ndërtimeve joligjore në vitin 1999 dhe 2014, objekti fillimisht ka marrë leje ndërtimi ndërsa në 2014-në është riformuar parcela dhe në përpikëri elaborati përputhet me ligjin..”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Mickovski fajin për të gjitha parregullsitë ia faturoi veprimeve të institucioneve në të kaluar. Ai përsëriti se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje por se test për kredibilitetin e tij do të jenë zgjedhjet e ardhshme. /Alsat.mk