Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodian Braho theksoi se korrupsioni në institucionet publike mbetet ende një shqetësim kryesor.
Duke raportuar në Komisionin e Ligjeve, ai theksoi se të dhënat e vitit 2025 kanë treguar se “korrupsioni në institucionet publike mbetet një fenomen shqetësues dhe përfshin funksionarë vendorë, administrativë, prokurorë, gjyqtarë, punonjës policie etj”.
Sipas tij, edhe krimi i organizuar po shfaqet në forma në komplekse dhe sofistikuara, ku grupet kriminale nuk veprojmë më me forma klasike por përdorin ndarje të qarta të roleve, subjekte tregtare fiktive, transaksione informale dhe investime në pasuri të paluajtshme.
Po ashtu, Braho ngriti si shqetësim edhe statusin e prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit 9-vjeçar. Ai theksoi se mungesa e një zgjidhjeje të qartë ligjore mund të cenojë vijimësinë e hetimeve dhe standardet profesionale.
“Së dyti, problematika lidhet me statusin e prokurorit të posaçëm pas përfundimit të mandatit. Mosrespektimi i qartë ligjor mundet të cenojë vijimësinë e hetimeve dhe standardet profesionale, duke ndikuar në besimin e publikut dhe në përmbushjen e kërkesave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare. Kushtetuta ka parashikuar një mandat 9-vjeçar për prokurorët e posaçëm, pa të drejtë riemërimi.
Ky model ka pasur qëllimin e vet në fazën e ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë. Megjithatë, pas këtyre viteve të funksionimit, është e nevojshme të vlerësohet nëse ky model garanton mjaftueshëm vijimësinë profesionale të Prokurorisë së Posaçme. Përfundimi i mandatit të prokurorëve të posaçëm krijon jo thjesht çështje të karrierës së tyre individuale, por krijon edhe çështje të ruajtjes së eksperiencës së specializuar që është krijuar brenda SPAK-ut.
Kjo eksperiencë lidhet me hetime komplekse, bashkëpunim ndërkombëtar, hetim financiar dhe administrim të çështjeve me ndjeshmëri të lartë publike”, theksoi Braho.
The post Kreu i SPAK te “Ligjet”: Të zgjidhet çështja e mandateve të prokurorëve të posaçëm, mund të cenohet vijimësia e hetimeve dhe standardeve profesionale appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



