Kryetari i Zubin Potokut, Srxhan Vulloviq, i njohur me deklaratat provokuese për shqiptarët, ka porositur serbët që të mos bien pre e provokimeve, sepse me tabela ose pa tabela, këtu është Serbi. Tabela me mbishkrimin “Republika Srbija, APK Kosovo i Metohija – Opstina Zubin Potok” ishte vendosur në afërsi të Zubin Potokut. Tabela me përmbajtje të njëjtë janë vendosur në ndërtesat e komunave veriore, në institucione shkollore e shëndetësore, shkruan gazeta “Zëri”.
Largimi i tabelës së vendosur nga serbët në hyrje të Zubin Potokut, në afërsi të vendkalimit në Bërnjak me mbishkrimin “Republika Srbija, APK Kosovo i Metohija – Opstina Zubin Potok” (Republika e Serbisë, KA e Kosovës – Komuna Zubin Potok) ka nxitur reagimin e kryetarit të Zubin Potokut, Srxhan Vulloviq.
Vulloviqi, i njohur me deklaratat provokuese për shqiptarët dhe me deklaratat nxitëse ndaj institucioneve të shtetit të Kosovës, ka porositur serbët që të mos bien pre e provokimeve të shqiptarëve dhe ka siguruar ata se shteti i Serbisë ka në dorë gjithë pjesën veriore të Kosovës.