Kreu shtetëror dhe liderët politik kanë uruar qytetarët për festat e Vitit të Ri

 Kreu shtetëror dhe liderët politik kanë uruar qytetarët për festat e Vitit të Ri. Presidenti Stevo Pendarovski në urimin e tij tha se pavarësisht tragjedive, pandemisë dhe sfidave tjera, viti 2022 duhet të kthej shpresën dhe besimin për jetë më të mirë.

“Duke e pritur vitin 2022 të kthehemi nga shpresa dhe besimi të cilat do të na ndihmojnë të ndërtojmë shoqëri prosperuese, në të cilën të gjithë do të jemi të barabartë para ligjit. Shoqëri e cila do të kujdeset për më të dobëtit, do t’i vlerësojë dhe shpërblejë të virtytshmit, në të cilën të rinjtë do të dëshirojnë të qëndrojnë këtu dhe të arrijnë sukses në shtetin e tyre…”, ka thënë presidenti Stevo Pendarovski.

Kryeministri në detyrë Zoran Zaev, ka thënë se gjatë vitit të kaluar, kanë luftuar që vendi të pranohet si shtet me identitet të pastër kombëtar. Ndërsa ka shtuar se mbështetja që bashkë qytetarët tjerë u dhanë maqedonasve do të mbetet në histori.

“Në këtë frymë, ta shohim vitin e ri si një kapitull të ri të bashkësisë sonë. Lapsi për shkrimin e sukseseve të reja në këtë kapitull është në duart tona. Askush tjetër më nuk do ta shkruaj historinë tonë, as ta përcaktoj drejtimin e të ardhmes. Vetëm ju qytetarët, mundeni ti plotësoni kapitujt e rinj”, u shpreh kryeministri Zoran Zaev.

Mandatari për kryeministër të ri, Dimitar Kovaçevski pret që viti 2022 të jetë vit i sukseseve dhe i zhvillimit ekonomik.

“Të fokusuar në ekonominë, efikasitetin e institucioneve, përgjegjësisë dhe llogaridhënies, do ta përmirësojmë standardin jetësor të qytetarëve. Paga minimale patjetër të vazhdoj të rritet, ndërsa me të do të rritet edhe paga mesatare, pensionet, ndërsa papunësia edhe më tej do të bjerë. Këtë do ta arrijmë me punë të përgjegjshme dhe të përkushtuar”, tha Dimitar Kovaçevski, LSDM.

Ndërsa kryetari i VMRO-DPMNE-së Mickovski në urimin e festave të fund vitit, deklaroi se vitin që e lëmë pas, ishte me shumë sfida, duke e akuzuar pushtetin si të papërgjegjshëm. Theksoi se vitin që vjen duhet të jetë i fokusuar tek ardhmëria e fëmijëve.

“Fëmijët e Maqedonisë meritojnë ardhmëri të re, të lumtur në shtet të rregulluar i cili do ti kënaq të gjitha nevojat e tyre. Viti 2022 do të jetë vit në të cilin ndryshimet dhe projektet do ta sjellin fitoren përfundimtare, triumf i vlerave të vërteta. Të vazhdojmë bashkërisht dhe ta përfundojmë punën. Të sjellim reforma, normalitet dhe siguri. Ta ruajmë dhe avancojmë shëndetin dhe jetën, këto janë dhuratat më të mëdha për çdo njeri”, pohoi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO DPMNE-së.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela, në urimin e tij 2021-shën e ka cilësuar si vit të trishtë, me shumë tragjedi dhe pazare korruptive.

“Në rrafshin politik, urojmë që perspektiva evropiane e vendit më në fund të zhbllokohet gjatë vitit të ardhshëm duke shpresuar se presioni i jashtëm që shoqëron negociatat për anëtarësim në BE do të ndikojë pozitivisht në instalimin e një klime që forcon shtetin e së drejtës, luftimin e korrupsionit dhe liritë e qytetarëve”, tha lideri i ASH-së Ziadin Sela.

Me rastin e festave të Vitit të Ri qytetarët i uruan edhe përfaqësues të tjerë të institucioneve dhe kryetar të partive politike./ Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme