Gazetar: Zekirja Haxhiu
Krerët e shtetit dhe partive politike në vend kanë uruar Donald Trampin për fitoren në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presidentja Gordana Siljanovska Davkova në urimin e saj tha se vendi do të vazhdojë mbështetjen e përpjekjeve amerikane dhe globale dhe paqe, stabilitet dhe siguri.
“Maqedonia si mik dhe partner i dëshmuar i SHBA-së do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për paqe, stabilitet dhe siguri, të bazuara në nevojën për drejtësi, respektimin e së drejtës ndërkombëtare, lirisë dhe dinjitetit të njeriut në botë”, tha Gordana Siljanovska Davkova, Presidente.
Kryeministri Hristijan Mickoski pret që të thellohet partneriteti mes dy vendeve.
“Me padurim presim thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe partneritetit tonë të fortë, veçanërisht në fushat e sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe reformave demokratike. Maqedonia mbetet e përkushtuar në ndërtimin e lidhjeve më të forta me SHBA-të, si mik dhe aleat i ynë strategjik, të cilat do të vazhdojnë të përforcojnë stabilitetin dhe përparimin e gjithë rajonit”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Uroi edhe nga zv.kryeministri i parë Izet Mexhiti.
“SHBA-ja mbetet aleati më i madh i vendit tonë. Si zëvendëskryeministër i parë i Maqedonisë së Veriut, shpreh gatishmërinë tonë të plotë për të forcuar edhe më tej marrëdhëniet strategjike ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara. Besojmë se nëpërmjet bashkëpunimit tonë të ngushtë, do të avancojmë përparimin ekonomik dhe sigurinë për vendin tonë!”, theksoi Izet Mexhiti – Zv.kryeministër.
Popullin amerikan dhe Trampin, i përgëzoi edhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.
“Uroj popullin amerikan dhe presidentin Tramp për zgjedhjen e tij të sotme dhe ndaj bindjen që përqëndrimi amerikan në Ballkan do të vazhdojë të jetë i fortë si gjithmonë për ti zgjidhur përfundimisht çështjet e hapura midis vendeve të Europës juglindore”, theksoi Ali Ahmeti – BDI.
Miqësia dhe bashkëpunimi mes dy vendeve të zhvillohet edhe më shumë uron kreu i LSDM-së, Venko Filipçe.
“Jam i bindur se nën udhëheqjen e tij, partneriteti strategjik mes SHBA-ve dhe Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë dhe do të thellohet. Maqedonia e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë lidhje shumëvjeçare të miqësisë dhe bashkëpunimit, dhe besoj se ato do të zhvillohen edhe më tepër, drejt përparimit dhe mirëqenies tonë të përbashkët”, u shpreh Venko Filipçe – LSDM. /Alsat.mk