Keqinformimi dhe gjuha e urrejtjes janë mjaft të pranishme në mediat e Kosovës. Kjo tendencë, sipas Bordit Ndërkombëtar të Kërkimit dhe Shkëmbimeve (IREX), është veçanërisht e pranishme në mediat në internet që prodhojnë lajme me një burim të vetëm.
Jeton Mehmeti, autor i raport të IREX-it, në pjesën ku flitet për Kosovën, ka shpjeguar për Radion Evropa e Lirë, se përkundër rritjes së numrit të mediave në Kosovë, kualiteti i lajmeve është në rënie e sipër.
Ai thotë se në raport përmenden fakte se dezinformatat dhe gjuha e urrejtjes, janë mjaft prezentë në media, sidomos në vitet elektorale.
Faktorët të cilët nxisin urrejtjen kanë ardhur si pasojë e mungesës së burimeve të mjaftueshme, me ç’rast, sipas Mehmetit, një numër i madh i përmbajtjes që publikohet nga mediat ka mungesë të burimeve të shumëfishta të besueshme.