Gjykata e Assizes në Foggia ka dhënë vendimin përfundimtar për Taulant Malajn, shqiptarin 47-vjeçar i cili më 7 maj 2023 tronditi Italinë me krimin makabër në Torremaggiore. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm dhe izolim ditor për 1 vit e 6 muaj, pas vrasjes së vajzës së tij 16-vjeçare, Xhesika Malaj, dhe fqinjit Massimo De Santis.
Malaj u shpall fajtor për vrasje të dyfishtë me paramendim dhe tentativë vrasjeje me rrethana rënduese, pasi qëlloi për vdekje me thikë vajzën dhe fqinjin, të cilin e akuzonte pa prova se kishte një lidhje me gruan e tij, Tefta Malaj.
Sipas hetimeve, Xhesika u përpoq të mbronte të ëmën gjatë sulmit dhe humbi jetën në mënyrë tragjike, ndërsa Tefta mbeti e plagosur rëndë. Ngjarja ndodhi në sy të djalit të mitur të çiftit, i cili në atë kohë ishte vetëm 5 vjeç.
Procesi nisi më 22 mars 2024 në Gjykatën e Assizes në Foggia, ku pak ditë më parë prokuroria kërkoi burgim të përjetshëm me izolim ditor për 1 vit e 6 muaj.