Prokuroria Speciale e Kosovës të enjten ka ngritur aktakuzë për krime lufte në Gjakovë kundër 20 personave.
Grupi prej 20 personave akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen e 107 civilëve dhe ndaj tyre, Prokuroria Speciale ka kërkuar mbajtjen e gjykimit në mungesë.
Të akuzuarit të cilët ngarkohen me veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile” u identifikuan nga Prokuroria vetëm me iniciale: M.K., R.C., M.D., P.R., S.K.,L.O., Zh.S., S.S.,L.D.,Z.R., D.G.,Ç.B., V.B., R.B.,R.R.,L.R.,M.Sh.,M.R., S.G. dhe T.A..
Prokuroria ka dhënë detaje edhe pozitat të cilat i kanë shfrytëzuar në atë kohë të akuzuarit.
Sipas Prokurorisë, gjatë viteve 1998-1999, M.K., në cilësinë e shefit të Sekretariatit të Punëve të Brendshme në Gjakovë, R. Ç., në cilësinë e komandantit të njësive të Policisë së Posaçme, dhe M.D., në cilësinë e komandantit të Brigadës së 52-të të Artilerisë Raketore, së bashku me të pandehurit e tjerë, përfshirë Radoiçiqin, “si pjesëtarë të njësive të lartcekura akuzohen për pjesëmarrjen në vrasjen e 107 civilëve gjatë një “operacioni të gjerë ushtarako-policior”.
“Gjatë këtij operacioni, sipas aktakuzës, të pandehurit fillimisht kanë ndarë gratë dhe fëmijët nga burrat. Gratë janë plaçkitur, duke iu marrë stolitë e arit, paratë dhe sendet e tjera me vlerë, ndërsa burrat janë ekzekutuar disa në shtëpitë dhe oborret e tyre, disa në lokacionin e njohur si ‘Ura e Taliqit’. Po ashtu, edhe shtëpitë ishin djegur”, u tha në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, thotë se mesazhi me ngritjet e aktakuzave është i qartë, i drejtë se sado që mbrohen nga Serbia ata do të duhej të dorëzohen në organet shtetërore të Kosovës.
Për shkak që gjykimi do të zhvillohet në mungesë, Dashevci për “Bota sot” shprehet se është e qartë se nuk ndihen komod apo qetë në vepra që ngarkohen.
“Mesazhi i dërguar për ngritjen e aktakuzës ndaj Millan Radoiçiqit dhe 19 personave të tjerë për krime lufte, veçanërisht duke pasur parasysh rolin e tij në zhvillimet e fundit të sigurisë në veri të Kosovës është i qartë i drejtë dhe pa marrë parasysh që janë në mungesë, herët apo vonë me ndërrimin e establishmentit në Serbi sepse kanë mbrojtjen e tyre atje dihet kjo fare mirë, herë do kurrë do të duhet t’i dorëzojnë, te organet tona shtetërore/ gjyqësore, nuk parashkruhen këto vepra të rënda penale asnjëherë. Duke qenë se Prokuroria ka kërkuar që gjykimi të zhvillohet në mungesë, kjo ka ndikimin e vet te ata të dyshuar, nuk ndihen fare komod ose të qetë vepra i ngarkon, sillen vetëm në Serbi sepse procesi në përpjekjet e Kosovës për të vendosur drejtësi dhe në bashkëpunimin ndërkombëtar për arrestimin e të akuzuarve nuk ndalet, kudo që hasen dhe ka qasje në ta arrestohen dhe dalin para drejtësisë për veprat që dyshohet se i kanë bërë kudo dhe kushdo qoftë ai ose ata”, deklaron Dashevci.



