Gjykata Kushtetuese ka lënë në fuqi vendimin për dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Fatjon Karmeshtnës, i shpallur fajtor për vrasjen e Suela Sulës në vitin 2016, një ngjarje që tronditi opinionin publik shqiptar.
Ngjarja ndodhi në fshatin Melgushë të Shkodrës, ku 42-vjeçari Karmeshtna, punëtor në biznesin e bashkëshortit të viktimës, Sadetin Sula, ekzekutoi Suela Sulën me urdhër të këtij të fundit. Krimi makabër ndodhi në ambientet e tualetit të mobilerisë që zotërohej nga bashkëshorti i saj.
Të dy burrat, autori i drejtpërdrejtë dhe porositësi i vrasjes, janë dënuar me burgim të përjetshëm në të tria shkallët e gjyqësorit. Megjithatë, Fatjon Karmeshtna kërkoi së fundmi nga Gjykata Kushtetuese rrëzimin e vendimeve, duke pretenduar se ishte gjykuar padrejtësisht, se nuk ishin marrë parasysh provat e paraqitura prej tij dhe se kishte patur shkelje të rënda në procesin gjyqësor.
Në shqyrtimin paraprak të ankimit, një kolegj prej tre anëtarësh i Gjykatës Kushtetuese konstatoi se pretendimet e të dënuarit ishin të pabazuara dhe vendosi të mos e kalojë çështjen për gjykim të mëtejshëm. Si rrjedhojë, dënimi me burgim të përjetshëm ndaj Karmeshtnës mbetet në fuqi.
Sipas dosjes gjyqësore, vrasja e Suela Sulës u krye për motive xhelozie dhe për të shmangur ndarjen e pasurisë në rast divorci. Materiali gjenetik i gjetur në trupin e viktimës, konkretisht në thonjtë e saj, përputhej me ADN-në e autorit, duke qenë një nga provat kyçe në zbardhjen e ngjarjes dhe ndëshkimin e autorëve.