Përfaqësues i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell, ka qortuar dje Kosovën për aksionin e Policisë kundër kontrabandës që u zhvillua në katër rajone të vendit, përfshirë edhe veriun. Kjo deklaratë e Borrellit, ka ngjallur reagime të shumta.
Borrell tha se incidentet e dhunshme në veri duhet të ndalen menjëherë. Ai e quajti aksionin e Policisë të njëanshëm dhe të pakoordinuar.
Më tutje, Borrell tha se të gjitha çështjet e hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet që të adresohen përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
“Ju lutem kritikoni shtetet ku sundimi i ligjit nuk implementohet. BE-ja duhet t’i përkrahë shtetet që e luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Institucionet shtetërore që kryejnë punën e tyre meritojnë respektin tonë të plotë. Dialogu i ndihmuar nga BE-ja nuk ka të bëjë me operacionet ditore të Policisë”, ka shkruar Von Cramon në Tëitter.
Edhe ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, i ka reaguar përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri.
Bosch, ka thënë se BE-ja po e tregon edhe një herë “paaftësinë” e saj në lidhje me Kosovën, përcjell Bota sot.
Sipas tij, Borrell është dashur të njihet me realitetin se veriu i Kosovës drejtohet nga banda kriminale.
“Përsëri BE-ja tregoi paaftësinë e saj në lidhje me Kosovën. Borrell de facto, duke i kërkuar policisë të mos dalë kundër kontrabandistëve, nëse do të kishte marrë mundimin të njihej me realitetin në veri të Kosovës, do të kishte ditur se veriu drejtohet nga banda kriminale dhe nuk është kurrë herët për të dalë kundër tyre. Pra, edhe nëse është reagimi i dhunës, ai duhet ta lavdërojë atë”, ka shkruar ish-ambasadori në një postim në Facebook.
Ndërkohë, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se të tilla aksione në Kosovë ka për çdo ditë.
“Sa i përket Borrellit, aksione të tilla kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal, ne kemi gati për çdo ditë. Dje Policia e Kosovës ka pasur një aksion jashtëzakonisht të suksesshëm ku është arrestuar një falsifikator i faturave të ndryshme me 18 vula të ndryshme falso. Nacionaliteti i tij është turk. Tash a është dashur edhe ne dje ta lajmërojmë dikë apo të koordinohemi me dikë për aksionin tonë. Ky aksion ka qenë puro kundër kontrabandës që është një plagë që po kullon në financa për çdo ditë për shtetin dhe qytetarët e varfër të Kosovës”, ka thënë ai.
Më tutje, ai tha se është qasje e gabuar të mendohet se duhet bashkëpunuar me Beogradin, për ta luftuar krimin dhe kontrabandën.
“Nëse dikush mendon se ne duhet që të koordinohemi me Beogradin që të godasim ata të cilët Beogradi po i mbron në krim, atëherë mendoj që është një qasje e gabuar”, ka thënë ai.
Ndryshe, si pasojë e rezistimit të serbëve, duke gjuajtur me gjësende e duke sulmuar me grushte policët, disa pjesëtarë të policisë kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Mitrovicës.
Policia njoftoi për gjashtë zyrtarë policorë të lënduar, prej tyre pesë zyrtarë të nacionalitetit shqiptar dhe një i nacionalitetit serb. Gjithashtu, një nga personat e përfshirë në sulm ndaj zyrtarëve policorë, është lënduar.
Gjatë këtij aksioni janë sulmuar edhe gazetarët dhe kameramanët që kanë shkuar për të raportuar për zhvillimet atje. Në drejtim të tyre janë hedhur tri bomba dore.
Se janë përdorur mjete të tilla ka njoftuar edhe Policia e Kosovës, përmes një njoftimi drejtuar mediave.
Sipas Policisë, qytetarët atje janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore.
Pas tensioneve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, apeloi për qetësi, teksa edhe njoftoi për përfundimin e aksionit.
“Herët në mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës, me qëllim të luftimit të kontrabandës ka filluar operacione bastisjeje në disa lokacione të ndryshme në Prishtinë, Pejë e Mitrovicë (si në jug ashtu edhe në veri). Këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensaive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente. Janë sekuestruar mallra e dëshmi të tjera që paraqesin edhe prova materiale. Krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen. Kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë. Aksioni i sotëm policor ka përfunduar. U bëj thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës që të mos bien pre e disa medieve në Serbi që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë”, u shpreh Kurti ndër të tjera.
Më pas, policia njoftoi se situata në pjesën veriore të Mitrovicës është qetësuar.