Samir Krasniqi, njëri prej pjesëmarrësve në Akademinë Përkujtimore në nderim të ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, ka kritikuar organizimin dhe mbarëvajtjen e kësaj akademie, si dhe mungesën e kryeministrit Isa Mustafa.
Krasniqi, i cili më parë ka qenë kryetar i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, ka kritikuar edhe nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës dhe anëtarin e LDK-së, Sabri Hamiti, nën pretekstin se ai kishte më shumë për qëllim promovimin e një “fletushke” të tij, sesa përkujtimin e ish-presidentit të Kosovës.
Përmes një reagimi në profilin e tij në Facebook, Krasniqi shprehet i zhgënjyer me tërë organizimin e Akademisë Përkujtimore në rastin e 11-vjetorit të vdekjes së Rugovës.
“Unë sot (s’) isha në 11 vjetorin e vdekjes së Presidentit historik të Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova. Në fakt isha i pranishëm në sallën e madhe të Hotel Emerald por nuk arrita dot ta kuptoj organizatorin nëse kishte organizuar akademi përkujtimore për Presidentin Rugova apo promovimin e një fletushke të Akademik Sabri Hamitit”, shkruan Krasniqi, derisa organizimin e akademisë e quan “dëshpërues”.
Sipas Krasniqit, Sabri Hamiti me anë të fjalës së rastit në këtë Akademi Përkujtimore për Ibrahim Rugovën reklamoj dhe u sugjeroi të pranishmëve të blejnë fletushkën e tij.
“Sabri Hamiti i cili gjithashtu u ngjitë në skenë dhe reklamoj dhe për rrotulla na sugjeroi ta blejmë fletushkën. Disa vargje nga kjo fletushke i recitoi (promovoj) Çun Lajqi. Me kaq mbaroi”, ka thënë Krasniqi.
Për ish-kryetarin e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, nuk është e arsyetueshme as mungesa e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, në këtë akademi.
“Ju pyesni, po Isa Mustafa ishte aty? Jo nuk ishte! Unë mendova se mungesa e tij do të arsyetohej vetëm me gjendjen shëndetësore por moderatorja diku kah mesi si në heshtje na dërgoi të fala nga kryetari i LDK-së i cili nuk mund të ishte i pranishëm pasi që ishte në një rrugëtim! Jo, jo, nuk është arsyetim ky!”, është shprehur Krasniqi.
Ai ka thënë se çdo kryetar i LDK-së do të duhej ta rezervonte datën 21 janar për nderë të ish-presidentit Rugova. /Insajderi.com