Gazetar: Ile Petrevski
Kriza e vazhdueshme po shkakton sfida serioze edhe në industrinë e rëndë. Rritja e çmimeve të lëndëve të para, transporti më i shtrenjtë dhe gara drejt tregjeve të reja, janë problemet me të cilat përballen fabrikat e mëdha. Në kohë krize, biznesmenët thonë se kanë nevojë për një analizë të mirë parandaluese, nëse është më fitimprurëse të investosh apo të kursesh para në raste të vështira, shkruan Alsat.
“Për teneqet e çelikut që i prodhojmë, mund të them se tregjet janë mjaft aktive për momentin, ku çmimet e shitjes janë rritur ndjeshëm që nga fillimi i vitit, mendoj nga reagimi i tepërt ndaj luftës në Ukrainë. Shumë investitorë që kishin plane të mëdha për këtë vit u tërhoqën dhe i vendosën të gjitha pozicionet e tyre në pritje, në mënyrë që të shohin se si do të zhvillohet situata e përgjithshme”, tha Petar Janeski- afarist
Sa i përket prodhimit industrial, përkundër informacioneve nga terreni se për shkak të krizës dhe uljes së porosive, fabrikat prodhojnë më pak, të dhënat e Entit shtetëror të statistikave tregojnë se në mars të këtij viti ka pasur rritje prej 3,2 %. Nga informacioni i raportit rezulton se, përveç sektorit të xehetarisë dhe prodhimit të energjisë, të cilët shënojnë rritje më serioze të prodhimit, pothuajse të gjithë sektorët e tjerë kanë rënie. Është ulur edhe prodhimi i ushqimeve, pijeve, tekstilit dhe përpunimi i drurit, rënia ka edhe te prodhimi i metaleve.
Prodhim industrial
Prodhimi i ushqimit minus 5.8%
Prodhimi i pijeve minus 25%
Prodhimi i tekstilit minus 13.3%
Përpunimi i drurit minus 16.1%
Prodhimi i metaleve minus 10.9%
Shteti ka vënë në dispozicion disa masa kundër krizës. Përveç ndihmës për paga, janë hequr disa procedura doganore dhe disa procedura burokratike. Goditja më e madhe për biznesin e madh është rritja e çmimeve të energjisë. Pjesa e energjisë elektrike në çmimin e produktit përfundimtar nga fabrikat lëviz nga 20 deri në 60 për qind. Për shkak të kësaj, shumica e produkteve që qytetarët i blejnë çdo ditë shënojnë rritje të jashtëzakonshme. Edhe pse njoftimet nga sektori i biznesit janë se këto goditje nga inflacioni do të ngadalësohen në fund të vitit, ekonomistët janë më se të sigurt se rritja aktuale e çmimeve nuk do të kthehet kurrë as në nivel të afër siç ka qenë para krizës. /Alsat.mk