Emigrantët kanë sjellë rreth 184 milion euro vetëm në periudhën janar-mars, familjeve të tyre në Shqipëri. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se tashmë remitancat i janë rikthyer trendit rritës madje duke tejkaluar edhe periudhat më të mira siç ishte viti 2009.
Në krahasim me një vit më parë, të ardhurat e emigrantëve rezultojnë se janë 15 milionë euro më shumë ose me një rritje me 9%.por pavarësisht rritjes së nivelit të remitancave në muajt e parë të këtij viti sipas Bankës së Shqipërisë është vënë re një tjetër fenomen negativ.
Rënia e përdorimit të kanaleve formale, siç janë sistemi bankar dhe operatorë të sistemit të transfertimit të parave, ka vijuar edhe për këtë tremujor. Për shkak të heqjes së kufizimeve dhe lëvizjes së emigrantëve banka qendrore konstaton rritje të prurjeve në cash.
Sakaq, kriza financiare globale shkaktoi një rënie të ndjeshme të dërgesave të emigrantëve në vendin tonë në periudhën 2013- 2015, duke mos e kapur nivelin 600 milionë euro në vit. Por trendi ndryshoi pas pandemisë e cila shkaktoi rritje të ndihmës financiare të emigrantëve për familjarët e tyre.
Aktualisht, një arsye e shtimit të prurjeve nga emigrantët lidhet me shtrenjtimin e kostos së jetesës për shkak të rritjes së përgjithshme të çmimeve.
Sipas të dhënave rezulton se janë më shumë se 40 mijë familje shqiptare që mbijetojnë vetëm falë remitancave dhe rreth 70 % të parave që i sjellin i shpenzojnë për sigurimin e ushqimeve.
Varësinë më të lartë nga remitancat e kanë qarqet si Kukësi dhe Dibra. Peshën kryesore të parave që sjellin emigrantët vijojnë ta mbajnë Italia dhe Greqia por vitet e fundit janë shtuar sasitë e prurjeve edhe nga vende si Britania apo Gjermania./GSH



