Gazetare: Melihate Rustemi
Më shumë tre rroga minimale janë të nevojshme që një familje katër anëtarëshe të arrij të siguroj shpenzimet që parasheh shporta konsumatore e cila ka arritur në mbi 51 mijë denarë. Qytetarët që u anketuan nga Alsat thanë se tashmë shporta e tyre është e përgjysmuar për shkak të krizës ekonomike. Sipas tyre, prioritet kanë produktet ushqimore bazë dhe ilaçet.
“Mendoj se nuk ka njeri në Maqedoni që mund ta ketë atë mesatare që ta mbërrij shportën konsumatore, ti mbuloj shpenzimet. Tash është shumë e vështirë, si dikur në fëmijërinë time, të shkruash me laps se çfarë të blesh kur të mbërrij pensioni. Ilaçet janë prioritet dhe ushqimi, gjërat tjera jo,nuk vijnë në radhë”, u shpreh një qytetar.
“Nuk kemi aq para, kjo është Maqedonia, hesht dhe duro. Më bashkëshortin jemi pensionist dhe ja dalim në fund disi, kemi pensione mesatare, ja arrijmë. Vështirë për ata që kanë familje. Buka shumë është shtrenjtuar, qumështi, mielli, gjithçka është shtrenjtuar”, tha një qytetare.
“Për çdo ditë rriten çmimet, nuk mund të gjendemi. Dal blej qumësht, bukë, speca e domate, kaq. Nuk kemi për produkte tjera. Ne më të moshuarit nuk mund ta kuptojmë kohën e sotme, ne kemi pasur punë, familje, pas punës i jemi kushtuar familjes. Tash të rinjtë nuk kanë kohë ti kushtohen familjes”, u shpreh një qytetare.
Qytetarë të tjerë, posaçërisht pensionistët thanë se po mundohen ti përshtaten gjendjes aktuale të shkaktuar nga kriza ekonomike.
“Po i përshtatemi gjendjes. Ne jemi në ato vitet kur nuk kemi kërkesa, nuk kemi dëshira, thjesht të mbijetojmë, ti paguajmë faturat, të kemi për ilaçe e ushqim, kjo është,”tha një qytetar.
“Ato familje që kanë fëmijë është vështirë. Ne, pasi që jemi nga fundi i jetës, jemi të kënaqur sepse e kemi nisur me modesti dhe e kuptojmë gjendjen e krijuar”, tha një qytetare.
Enti Shtetëror i Statistikave ka bërë të ditur se nga tetori i vitit të kaluar e deri në të njëjtin muaj të këtij viti, vetëm shpenzimet ushqim janë rritur për 31.2 për qind. Por, pavarësisht të dhënave zyrtare, qytetarët thonë se çmimet e produkteve ushqimore bazë janë 100 për qind më të larta./Alsat.mk