Kushdo që sot ka udhëtuar drejt Shkodrës, nuk i ka zënë sytë një detaj që nuk të shpëton lehtë nëse kryeministri Edi Rama do të nisej drejt këtij qarku; praninë e Gardës së Republikës.
Rruga drejt Shkodrës, 48 orët e fundit ka qenë bosh nga përfaqësues të Gardës, që si rregull duhet të marrin masa 24 orë para për të siguruar udhëtimin e sigurtë të kryeministrit.
Edi Rama, të paktën deri në mesditë, nuk e anuloi vizitën e planifikuar momentin e fundit.
Më herët, deputeti i Partisë Demokratike i Shkodrës, Bardh Spahia tha gjatë protestës së organizuar në Shkodër se kryeministri Rama e kishte anulluar viziten “nga frika e përballjes me shkodranët”.
Nuk dihet nëse kjo është e vërtetë.
Por referuar burimeve të Mapo.al, e sigurt është që Garda nuk mori asnjë udhëzim paraprak, deputetët e PS-së Shkodër nuk ishin njoftuar për axhendën paraprake, ata nuk përcollën asnjë njoftim për mediat dhe nuk organizuan asnjë takim të paralajmëruar me përfaqësues nga “populli”, ku pritej të fliste Rama.
Deputetët e PS-së Shkodër heshtën edhe kur në rrugë jozyrtare u pyetën nga përfaqësues të strukturave të PD-së, Shkodër, që një ditë më parë kishin dalë në një konference për shtyp për të thënë se Rama do të pritej me protesta.
I vetmi që “theu” ftesën e Ramës ishte ministri i Jashtëm dhe deputeti që kryeson qarkun e Shkodrës nga PS-ja, Ditmir Bushati.
Ai mori pjesë në një takim të zhvilluar në shkollën industriale Shkodër, për të përcjellë mesazhin se: “Shkodra do punë dhe jo rrëmujë”.