Kryeinspektori Ylber Topalli: Kemi rekomanduar shkarkime për rastin ‘Dehari’

Një raport i hartuar nga Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë për Shërbimin Korrektues të Kosovës, pritet t’i dërgojë në shtëpi disa nga zyrtarët e Qendrës së Paraburgimit në Prizren.
Kjo ngase në ditën e vdekjes së Astrit Deharit, janë bërë lëshime në ofrimin e sigurisë, që kanë çuar në vdekjen e aktivistit të LVV-së.

Express ka kontaktuar me Ylber Topallin, Kryeinspektor i Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë. Ai ka thënë se është bërë një inspektim nga ana e inspektoratit të MD-së, në qendrën e Paraburgimit në Prizren dhe në bazë të të gjeturave pritet të ketë shkarkime të zyrtarëve të kësaj qendre.

E lajmi për shkarkimin e zyrtarëve pritet të bëhet gjatë ditës së sotme nga ana e Ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, përmes një konference për media.

“Ne kemi bërë një inspektim në Prizren për rastin në fjalë dhe e kemi dhënë raportin tonë në kabinetin e ministres. Presim prej tyre që ta analizojnë dhe të ndërmarrin masa nga të gjeturat që ne i kemi hasur. Sot besoj që raporti do të bëhet publik me anë të një komunikate për media e cila do t’i specifikojë të gjeturat. Rekomandimet janë të natyrës që të ketë shkarkime”, ka thënë Topalli.

Ndërkohë, që ministrja në Ministrinë e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, tashmë e ka në duar raportin e inspektoratit të hartuar nga inspektorët e MD-së dhe së shpejti pritet që me anë të një konference për media t’i bëjë të ditura shkarkimet.

Astrit Dehari kishte ndërruar jetë gjatë transportimit prej paraburgimit për në Spitalin e Prizrenit ku ishte duke u mbajtur si i dyshuar për sulm terrorist ndaj Parlamentit. Rezultatet e autopsisë të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë kanë konstatuar se Dehari kishte vdekur nga lëndimet e vetshkaktuara. Kryeprokurori i Prizrenit ka konstatuar se anëtari i Vetëvendosjes bëri vetëvrasje, por, ende nuk janë sqaruar motivet. Askush s’është arrestuar apo akuzuar se ka shtyrë Deharin në vetëvrasje.

Lëvizja “Vetëvendosje” ka kontestuar gjetjet e Mjekësisë Ligjore dhe kanë dhënë versionin e tyre. Kanë thënë se Astrit Dehari është vrarë duke drejtuar gishtin kah Shteti. As “Vetëvendosja” s’ka përmendur emra konkret se kush qëndron pas vdekjes së Deharit. Përmes vdekjes së Deharit, Partia e Visar Ymerit ka kërkuar rrëzimin e Qeverisë dhe dorëheqjen e udhëheqësve shtetërorë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme