Kryeministri dhe zëvendëskryeministri i parë, thonë se ekzistojnë forca dhe tendenca që dëshirojnë ta destabilizojnë vendin

Gazetare: Ajnur Bafqari

Kryeministri dhe zëvendëskryeministri i parë, thonë se ekzistojnë forca dhe tendenca që dëshirojnë ta destabilizojnë vendin, prandaj po manipulohen të rinjtë për të shkaktuar indicente. Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se ky nuk do të jetë tentimi i fundit për destabilizim, por i fton qytetarët të jenë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve, si dhe të jenë të vetëdijshëm se këto tentime po bëhen pasi disa ish politikanë kanë frikë nga drejtësia dhe për milionat që i kanë fituar në kurriz të popullatës së thjeshtë.

“Unë kam paralajmëruar për skenare të tilla, shumë më herët, para disa muajsh, se ka informacione të tilla kanë ardhur tek ne, dhe ky nuk do të jetë tentimi i fundit për eskalim të situatës, për tensione ndëretnike dhe kështu me rradhë. Madje kjo që ndodhi ditë më parë ishte parandaluar nga ana jonë dhe janë paralajmëruar të gjithë përfaqësuesit relevantë ndërkombëtarë dhe partnerët tanë strategjik, se ekziston rreziku për ngjarje të tilla, sepse kishim informacione dhe indikacione se këta për çfarë fola deri më tani, politikanë nga e kaluara do të dëshirojnë të na kthejnë përsëri në të kaluarën”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Edhe numri dy i qeverisë, Izet Mexhiti i fton qytetarët për qetësi dhe i siguron ata që do të ketë përgjegjësi për të gjithë që kanë kryer shkelje, pavarësisht nëse bëhet fjalë për qytetarë të thjeshtë, person me uniformë, përdhosje të flamurit shtetëror apo flamur kombëtar.

“Edhe këtu ka forca që duan ta destabilizojnë. Ishte evidente se festat e nëntorit u shënuan si asnjëherë më parë. Kjo dikujt i ka penguar, ka manipuluar me të rinjtë që me instruksione kanë desh ta destabilizojnë, ta njollosin festën. Me shumë përgjegjësi e them se çdokush që e ka shkel ligjin, do të përgjigjet para organeve të drejtësisë. Asnjëri nuk do të përgjigjet për festimin apo ngritjen e flamurit kombëtar ose flamujve të tjerë, por do të kenë përgjegjësi të gjithë ata që kanë shkel qoftë flamurin shtetëror qoftë ”, tha Izet Mexhiti, Zëvendëskryeministër i parë.
Nga ana tjetër, LSDM kërkon një takim liderësh lidhur me gjendjen e sigurisë në shtet. Nënkryetari i kësaj partie, Metodija Ilievski, theksoi se me një takim të tillë me përfaqësuesit e të gjitha partive parlamentare do të jepet një porosi se Maqedonia është dhe do mbetet shtet për të gjithë qytetarët e vet.

“LSDM propozon mbajtje urgjente të takimit të liderëve të të gjitha partive politike parlamentare. Ky është detyrim që e kemi ndaj qytetarëve, detyrim që të tregojmë se jemi të përgatitur që së bashku të ballafaqohemi me të gjitha sfidat dhe ta ruajmë shtetin tonë stabil dhe të qetë“, tha Metodija Ilievski, nënkryetar i LSDM-së.

Kryeministri Mickoski për momentin nuk mendon për një takim të tillë, por tha se nëse LSDM del me argumente, këtë mundësi do ta shqyrtojnë në periudhën në vazhdim./Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme