Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e kundërshton një shtet të ardhshem palestinez, kështu ka thënë sot një zyrtar i lartë i kabinetit izraelit, duke mos e bërë të qartë nëse kryeministri do ta thoshte po këtë gjë publikisht gjatë bisedimeve të kësaj jave me presidentin amerikan, Donald Trump, në Uashington.
Netanyahu kurrë nuk e ka braktisur në mënyrë eksplicite përkrahjen e kushtëzuar për një Palestinë të së ardhmes, ndërsa zëdhënësi i tij nuk i është përgjigjur menjëherë kërkesës për të komentuar deklaratat e ministrit të Sigurisë Publike, Gilad Erdan, transmeton Express.
Erdan i takon partisë djathtiste të Netanyahut, anëtarët kryesorë të së cilës shpesh e kanë ekspozuar një qëndrim më të ashpër se vetë kryeministri.
“Mendoj që të gjithë anëtarët e kabinetit të sigurisë, dhe më e rëndësishmja kryeministri, e kundërshtojnë një shtet palestinez,” Erdan ka thënë për Radion e Ushtrisë.
Netanyahu do të takohet me Donald Trumpin këtë të mërkurë.
“Askush nuk mendon që në disa vitet e ardhshme një shtet palestinez është diçka që, Zoti na faltë, mund të ndodh apo duhet të ndodhë,” ka thënë ai./Gazeta Express/