Kryeministri Kurti i dërgoi Serbisë mesazh të qartë, analistët tregojnë si të veprohet që të mos eskalojë situata

Kosova kishte paralajmëruar vendosjen e masës së reciprocitetit për targat me Serbinë, gjatë raundit të fundit të dialogut me Serbinë në Bruksel.

E reciprociteti për targat filloi së zbatuari këtë të hënë, derisa shkaktoi dhe tensione në veri.

Mirëpo, pavarësisht tensioneve që u krijuan nga serbët, policia e Kosovës nuk lejoi asnjë veturë serbe të kalojë me targa të Serbisë.

Atyre u vendosën targat e përkohshme.

Pas kësaj, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se “veprimet e ndërmarra nuk kanë për qëllim të cenojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve serbë apo të provokojnë ndonjë destabilizim”.

“Si kryeministër ju siguroj se veprimet e ndërmarra nga organet kompetente për zbatimin e kësaj nuk janë drejtuar kundër qytetarëve serbë, nuk kanë për qëllim të cenojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve serbë apo të provokojnë çfarëdo destabilizimi. Pres nga të gjithë ta kuptojnë drejt se nuk po ndodh asgjë e jashtëligjshme, po fillon zbatimi i një marrëveshjeje me të cilën është pajtuar edhe Serbia”, tha Kurti në seancën e Kuvendit.

I menjëhershëm ka qenë reagimi edhe i presidentit Vuçiq duke mos u pajtuar aspak me këtë veprim dhe thënë për media se Serbia do të marrë masa në lidhje me këtë çështje.

Pas kësaj, ka reaguar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani duke thënë që nuk i frikësohet aspak deklaratave të Serbisë dhe se Kosova do ta mbajë këtë vendim.

“Asnjë lloj kërcënimi nga Serbia nuk e ndalon vendosmërinë tonë për të jetësuar zbatimin e ligjit, në përputhje me obligimet tona ndërkombëtare, për të mirën e të gjithë qytetarëve të Republikës, pa dallim etnie”, u shpreh Osmani.

Kryeministri Kurti po ashtu është takuar të martën me ambasadorët e vendeve të Quintit, të cilëve u ka thënë se vendimi nuk është provokim e as diskriminim dhe se reciprocitetin për targat ose do ta mbajnë të dyja shtetet, ose do ta heqin të dyja.

E gjatë ditës së djeshme, Kurti në një konferencë për media ka thënë se është i gatshëm që ta heq masën e reciprocitetit për targat, nëse një gjë të tillë e bën Serbia.

Vrajolli: Komuniteti ndërkombëtar të bëjë presion ndaj Serbisë, të mos e përshkallëzojë situatën

Në lidhje me këtë temë, Mentor Vrajolli, drejtori ekzekutiv i Qendrës për Studime të Sigurisë, u shpreh për “Bota sot” se ky vendim nga ana e qeverisë është e bazuar në marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2011 dhe se situata mund të eskalojë nëse qeveria e Kosovës nuk arrin të menaxhojë në mënyrën e duhur.

“Në bazë të konfirmimeve që kemi dëgjuar nëpër media nga zyrtarët e përfshirë, në vitin 2011 ka qenë një marrëveshje e tillë esimetrike me kohëzgjatje 5 vjeçare të cilën si duket Qeveria e Kosovës e nxitur nga ndërkombëtaret në 2016 e kishte zgjatur edhe për 5 vite të tjera. Sa i përket rrezikut për eskalim të situatës së sigurisë, është e nevojshme që Qeveria e Kosovës të mundohet ta menaxhojë situatën e krijuar pa ndonjë pompozitet të madh në publik. Mbase pompoziteti i madh që ju ka dhënë këtij rasti nga mediat mund të tentohet të shfrytëzohet nga elemente destabilizuese për të nxitur komunitetin ndërkombëtar që të bëjë një reagim të ngjashëm me atë të pranverës së vitit të kaluar edhe kundër këtij lloj reciprocitetit”, u shpreh ai.

Sipas tij, Kosova në këtë marrëveshje ka qenë e diskriminuar dhe se për këtë nuk ka pasur reagim ndërkombëtar.

“Mirëpo nëse një gjë e tillë ndodh atëherë kjo do të nënkuptonte se komuniteti ndërkombëtar është krejtësisht i anshëm, pasi që argumentet e prezantuara nga pala e Kosovës janë të drejta dhe i përgjigjen një padrejtësie që qytetarët e Kosovës janë ballafaquar ndër vite. Gjatë gjithë këtyre vite ka ekzistuar një trajtim asimetrik/diskriminues nga ana e shtetit të Serbisë ndaj udhëtarëve të qytetarëve të Kosovës me targa të Kosovës, ndërkohë që reagimi i komunitetit ndërkombëtar ka qenë pothuajse inekzistent”, ka vlerësuar Vrajolli.

Nga ana tjetër, drejtori thotë se komuniteti ndërkombëtar duhet të ushtrojë presion nga palës së Serbisë në mënyrë që situate të mos eskalojë dhe të ketë pajtim mes dy shteteve, pasi ato që po përjetojnë serbët vetëm nga dita e hënë, shqiptarët ka kohë që e përjetojnë.

“Andaj, pritjet nga këto veprime janë që komuniteti ndërkombëtar presionin ta ushtroj në radhë të parë ndaj palës Serbe e cila me vite të tëra ka provokuar e nxitur reagime të këtilla. E ky lloj presioni ndaj lidershipit aktual të Serbisë në ndërkohë do të ndihmonte në mospërshkallëzimin e situatës së sigurisë edhe në pjesën veriore të vendit. Pasi që i vetmi rrezik për përshkallëzimin e situatës së sigurisë atje është po që veprimet e tilla përshkallëzuese janë të dirigjuara drejtpërdrejti nga strukturat e sigurisë të shtetit Serb. Ndërkohë qytetarët serb të pjesës veriore të veriut në masë të madhe janë të vetëdijshme për problemin, dhe e kuptojnë që masat e ndërmarra nuk janë të orientuar ndaj tyre. Ata e dinë se gjithë qytetarët me dokumente të Kosovës kanë përjetuar këtë lloj maltretimi që më shumë se një dekade. Andaj, për ta këto masa të Qeverisë së Kosovës nuk kanë qenë të papritura”, tha Vrajolli për “Bota sot”.

Pula: Qeveria Kurti vetëm zbatoi një marrëveshje që u nënshkrua me Serbinë

Ndërsa, njohësi për çështje ndërkombëtare, Shqiprim Pula, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që ky vendim i qeverisë Kurti është i përfshirë në marrëveshjen e nënshkruar me Serbinë dhe se partitë politike tani duhet të lënë anash inatet dhe të bëhen një zë karshi Serbisë.

“Që nga përgatitjet fillestare gjatë vitit 2010 e fillimit të dialogut në vitin 2011, fillimisht i deklaruar si dialog teknik e më pastaj politikë, janë arritur marrëveshje brenda të cilave kanë edhe elementin e ambiguitetit, e kjo, lejon interpretime sipas rrethanave dhe arsyeshmërisë politike nga palët nënshkruese në vendet përkatëse; pastaj marrëveshjet si të tilla, të konsideruara si përfundimtare nuk kanë patur vendosmërinë e ndërmjetësuesve si garantues për zbatimin e tyre me kohë; si dhe, marrëveshjeve u ka munguar klauzola e ndëshkueshmërisë ndaj palëve mos zbatuese. Nga ky vështrim, kemi një mori marrëveshjesh të cilat janë të pa zbatuara apo pjesërisht në tërësinë e tyre, por edhe të vonuara në zbatim. Prandaj, spektri politikë në Republikën e Kosovës, duhet lënë anash përkatësinë partiake apo filozofinë politike që i takon, që të jenë fuqishëm një zë, karshi Serbisë”, theksoi Pula.

Tutje, ai thotë se marrëveshja nënshkruhet për të u zbatuar nga të dy palët dhe kështu qeveria Kurti veproi pasi tashmë ka një fuqi politike dhe qëndrueshmëri.

“Në pikëpamje të së drejtës vendore dhe ndërkombëtare, marrëveshja është vullnet i shprehur i palëve nënshkruese, kështu që, marrëveshjet e arritura janë përgjegjësi, po aq përgjegjësi është zbatimi i tyre. Por, nuk duhet harruar, brishtësinë e karakterit të qeverive të kaluara për shkak të koalicioneve shumë partiake, e për rrjedhojë, shihej edhe mungesë e qëndrueshmërisë politike për tema të caktuara. Tani kur kemi një qeveri e cila ka mjaftueshëm fuqinë politike, është shprehje e një formulimi të ri politikë, nga e cila pritet, të shpërfaq karakterin e shtetësisë dhe pozitën e institucioneve për t’i rishikuar mundësitë e zbatimit të marrëveshjeve. Dhe kjo duhet të ndodhë tani”, potencoi analisti.

Në fund, Pula thotë se opozita nuk duhet të jetë kritikuese në këtë rast aspak, përkundrazi duhet të bëhen bashkë pozitë dhe opozitë e të vënë në zbatim një mori marrëveshje që nuk janë zbatuar qe një kohë të gjatë.

“Të bërit opozitarizëm në demokraci është e shëndetshme për shtetin dhe mirëqenien e qytetarëve të saj, por, në këtë rast, për këtë temë, s’do duhej fare të kishte gjuhë kritike e aq më pak ndasi pozitë-opozitë, ngase, kjo do të duhej të shihej si e drejtë dhe detyrë, e gjithë spektrit politikë, në Republikën tonë, karshi fqinjit verior. Janë një mori marrëveshjes, fatkeqësisht, të arritura e të pa zbatuara deri më tani, prandaj marrëveshjet e arritura duhet zbatuar ose duhet të rishikohen për ndryshim-plotësim të tyre për aq sa e lejuar duke ruajtur sistemin unitar e kushtetues të shtetit tonë. Pozitë e opozitë, duhet detyrimisht të forcojnë pozitën e Republikës dhe formën e saj në raport me vendet e rajonit, e specifikisht me Serbinë”, përfundoi Pula për “Bota sot”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme