Kryeministri Mustafa e vërteton: Rrëzimi i murit nuk do negociohet

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka dhënë një deklaratë ekskluzive për Interaktiv të KTV-së pas takimit me palën serbe në Bruksel.

Ai ka thënë se në takimin me palën serbe në Bruksel janë marrë vesh që të ulen tensionet e krijuara së fundmi në rajon, pas provokimeve nga serbët përmes trenit, arrestimit të Ramush Haradinajt dhe murit të ngritur në Mitrovicë.

“Takimi u përqendrua në ngjarjet e fundit që kanë të bëjnë me tensionimin, me provokimin nga Serbia në mënyrë të pandërprerë në Kosovë. Kërkuam respektim të territorit të Kosovës dhe të mos kemi provokime nga strukturat paralele të Serbisë. Kërkuam të zgjidhim çështjet përmes dialogut për të siguruar stabilitet dhe paqe që nuk sigurohet vetëm për Kosovë e Serbi, por edhe për më gjerë në rajon”, ka thënë Mustafa.

Mustafa po ashtu ka kërkuar mbështetjen e opozitës në pjesën e mbetur të dialogut, për të cilin thotë se do të jetë i përshpejtuar me qëllim që të mos zgjatet pafundësisht.

“U morëm vesh që të përshpejtojmë gjërat duke iu referuar një afati më të shkurtër për mbyllje të dialogut, sepse nuk jemi në gjendje të vazhdojmë pandërprerë.

Do të merremi vesh në Kosovë me të gjitha palët e interesuara që të kemi dialog me përkrahje më të gjerë dhe të zgjedhim çështjet që nuk mund t’i zgjidhin në formë të tillë. Jemi të gatshëm të ulemi e të diskutojmë me të gjithë.

Të kuptojmë cila është mënyra më e mirë e përfaqësimit edhe e opozitës edhe e shoqërisë civile, sepse në dialog nuk është vetëm një subjekt, por të gjithë ata që kanë marrë votën e popullit. Duhet të ulemi dhe të gjejmë një zgjidhje më të mirë që të kemi proces më të përkrahur dhe më të suksesshëm sigurisht”, ka deklaruar ai, raporton Koha.net.

Në fund Mustafa ka bërë të ditur se lidhur me murin në Mitrovicë nuk ka asnjë negociatë që duhet të bëhet. Ai ka thënë se qeveria ka vendim të prerë se ai mur do të rrëzohet, qoftë nga ata që e kanë ngritur, qoftë nga vetë institucionet e Kosovës.

“Ishte zotim që të ketë përmbajtje nga pala serbe nga fjalori e retorika e cila ngjall urrejtje e destabilizim të situatës në rajon. Mendoj se kjo do të ndodhë, ndërsa sa i përket murit kemi bërë të qartë nëse nuk rrëzohet murri nga ata që e kanë bërë ne do ta rrëzojmë atë. Nuk ka asnjë negociatë tjetër për këtë”, ka thënë Mustafa, përgatiti Koha. (b.an)

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme