Kryeministri Isa Mustafa ka thënë se organet e sigurisë në Kosovë kanë bërë “një punë të shkëlqyer” për të parandaluar sulme eventuale ndaj institucioneve dhe liderëve të Kosovës.
Duke komentuar njoftimin e Këshillit të Sigurisë të Kosovës javën e kaluar se grupe individësh brenda dhe jashtë Kosovës kanë planifikuar këto sulme, Mustafa nuk ka dashur që të jap detaje të shumta rreth këtyre grupeve dhe vendndodhjes së tyre jashtë Kosovës.
Por, në një intervistë për emisionin Rubikon në KTV, ai ka përmendur një shtetase rumune si të përfshirë në këtë çështje.
“Kemi pasur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, e kemi trajtuar edhe këtë çështje. Organet po bëjnë punën e vet, organet e policisë dhe prokurorisë, edhe gjyqësia. Pra është në atë pjesë ku duhet sqarohen gjërat. Ashtu siç kemi ne informata të individëve dhe grupeve të cilat nuk janë të lidhura ose të izoluara vetëm në Kosovë, por kanë edhe ndërlidhje me individë dhe grupe të vendeve dhe shteteve të tjera”, ka thënë kryeministri.
I pyetur nëse në këto “sulme ka gisht Rusia”, kryeministri ka shkuar përtej.
“Tash në mënyrë të drejtpërdrejtë Rusia mund të përmendet por nuk kemi ndonjë informatë të drejtpërdrejtë që qon atje, por tek Rumania ose një shtetase rumune pwr tw cilat kanw raportuar edhe mediat e ndryshme”, ka thënë kryeministri, pa specifikuar se për cilën shtetase bëhet fjalë.
Javën e kaluar, Këshilli për Siguri i Kosovës, ka njoftuar se institucionet përgjegjëse të Kosovës “kanë zbuluar veprime të disa individëve dhe grupeve të tyre, të lidhura me grupe dhe individë nga vende tjera jashtë Kosovës, të orientuara për destabilizimin e Kosovës dhe për rrezikimin e rendit kushtetues”.
“Grupe të tilla kanë planifikuar të kryejnë akte kundër disa liderëve institucionalë dhe politikë të Kosovës”, thuhej në njoftimin e Këshillit për Siguri.
“Veprimet e tilla, vlerësohet se mund të jenë të lidhura me njerëz me të kaluar të dyshimtë, që punojnë me grupe dhe shërbime të disa vendeve dhe mund të kenë lidhje me persona të inkriminuar në konflikte jashtë Kosovës, si dhe me vende të caktuara të cilat synojnë destabilizimin e Kosovës”, thuhej tutje në komunikatë.