Kryeministri nuk i tregon faturat e pushimeve në Sant Moritz

Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka refuzuar t’i tregojë faturat e pushimeve të Ramush Haradinajt dhe familjes së tij në Saint Moritz të Zvicrës, për të cilat kryeministri deklaroi se i kanë kushtuar vetëm shtatë mijë euro.

Mirëpo, Insajderi ka raportuar të mërkurën se këto pushime i kanë kushtuar kryeministrit Haradinaj mbi 80 mijë franga për nëntë ditë, në një nga hotelet më të shtrenjta të Zvicrës.

Nga Zyra e Kryeministrit u kërkua publikimi i faturave të udhëtimit në Zvicër dhe akomodimit në hotelin “Carlton” – njërin nga hotelet më të shtrenjta në botë.

Mirëpo, ata kanë preferuar të heshtin dhe të mos publikojnë dëshmitë e pushimit të Haradinajt.

Dhoma më e lirë në hotelin “Carlton”, në të cilin është vendosur kryeministri Haradinaj, për një natë është 1 mijë e 300 franga. Çmimet arrijnë deri në pesë mijë franga për një natë. Në festat e fundvitit cmimet e dhomave në hotelin “Carlton” shënojnë rritje tjetër.

Haradinaj, së bashku me bashkëshorten Anitën, tre fëmijët dhe djalin e vëllait të tij, Dautit, pushoi në hotelin “Carlton” në Saint Moritz në Zvicër.

U raportua se kryeministri Haradinaj është vendosur në suitën e quajtur “Czar” prej 160 metrash katror. Në kohën e pushimeve të vitit të ri, çmimi i kësaj suite ka qenë fiks 40 mijë e 600 franga për shtatë ditë.

Aty, familja Haradinaj ka pushuar në këtë hotel nga 25 dhjetori 2017 deri më 2 janar 2018.

Për pushimet e kryeministrit, Periskopi kishte kontaktuar shefin e Zyrës për Informim në Qeverinë “Haradinaj”, Halil Matoshi, i cili tha se pushimet kanë qenë private e familjare, jo me karakter shtetëror.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës nuk ka qenë me agjende shtetërore, por private dhe familjare. Institucioni nuk bartë asnjë kosto materiale”, thuhej në përgjigjen e shkurtër të Zyrës për komunikim publik të kryeministrit.

Qendra e skijimit në Saint Moritz është një nga më të shtrenjtat në botë. Hoteli “Carlton” i ndërtuar në stilin rus në alpet zvicerane përballë një liqeni, është në mesin e pesë hoteleve më të mira dhe më të shtrenjta në këtë qendër.

Saint Moritz është fshat turistik në juglindje të Zvicrës, pjesë e Kantonit të Grisonsit. Ky fshat shtrihet në vargmalet Albula, me një lartësi prej 1 mijë e 800 metrave mbi nivelin e detit. Saint Moritz ka një popullsi prej rreth 5 mijë banorësh.

Fshati njihet si qendër e turizmit dimëror në Zvicër. Në Saint Moritz janë zhvilluar dy herë Lojërat Olimpike dimërore: në vitet 1928 dhe 1948.

Ndërkaq, hoteli “Carlton” është ndërtuar më 1913. Ka 60 suita me pamje nga liqeni. Lidhur me hotelin ekziston edhe një legjendë. Thuhet se është ndërtuar për të shërbyer si rezidencë e Carit të Rusisë, Nikolasit të Dytë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme