Kryeministri Isa Mustafa është zotuar se nuk do t’i vërë në funksion muskujt për ta rrëzuar murin e ndërtuar nga serbët e Mitrovicës Veriore. Ka thënë se ligjit do t’ia lënë këtë punë. Por nuk ka thënë nëse do të rrënohet muri i vendosur në kundërshtim me ligjet e Kosovës dhe me marrëveshjen e dakorduar në Bruksel.

Të enjten, Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor ka vendosur mbi murin e kontestuar një letër, përmes së cilës kompanisë ndërtuese ia ka ndaluar vazhdimin e punimeve. Por ka munguar vendimi për rrëzimin e murit, shkruan sot Koha Ditore.

Ndërkaq Bashkimi Evropian, si zbatues i projektit për rivitalizimin e urës, vazhdon të heshtë përkitazi me ligjshmërinë e këtij muri.

Kryeministri Isa Mustafa bashkë me ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, të enjten thirrën konferencë për gazetarë, ku prezantuan arritjet e Kosovës në raport me organizatat ndërkombëtare dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës. I pyetur nëse “sukses” i tyre është edhe ndërtimi i një muri të lartë mbi 2 metra në Mitrovicë, dhe pse për këtë të “arritur” nuk e mori në konferencë para gazetarëve edhe ministren Edita Tahiri, kryeministri Isa Mustafa ka thënë se në Mitrovicë nuk ka ndodhur diçka e jashtëzakonshme.