Kryeministrja rumune, Viorica Dancila hodhi poshtë sot zërat se ajo po përgatitej për t’u dorëhequr, transmeton ATSH raportimin e agjencisë rumune të lajmeve, AGERPRES.
E pyetur nga gazetarët nëse ajo po përgatitej për dorëheqje nga detyra, pasi ky informacion ka sunduar median në orët e fundit, Viorica Dancila tha: “Jo, aspak”.
“Madje jam kureshtare të di se si ka dalë kjo zhurmë. Sepse nga unë, dukshëm, nuk ka dalë”, shtoi Dancila, kur u pyet nëse kishte biseduar me ndonjë në lidhje me dorëheqjen dhe se si kishte filluar kjo zhurmë.
Kryeministrja ndodhej në takimin e Komitetit Kombëtar Ekzekutiv të Partisë Socialdemokrate (PSD) bashkë me kryetarin e partisë, Liviu Dragnea, zëvendëskryetaren, Gabriela Firea dhe anëtarë të tjerë të kryesisë.
Gjatë hyrjes në godinën ku po zhvillohej ky takim, Dragnea konfirmoi se Dancila do të qëndronte kryeministre.