Kryeminsitri i Bullgarisë: Është momenti që BE t’u drejtohet vendeve të Ballkanit Perëndimor

Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov, shtetit që ka kryesimin e Presidencës së Bashkimit Evropian, ka thënë se është momenti i duhur që BE të thërrasë vendet e Ballkanit Perëndimor drejt perspektivës evropiane.

“Është momenti më i duhur për këtë. E dimë se zgjerimi i BE-së nuk do të bëhet gjatë kryesimit tonë, por që duhet qartësuar shteteve kandidate se çfarë mund të presin saktësisht për të hyrë në BE”, ka thënë Borissov.

“Ballkani është shumë i brishtë edhe koha është e brishtë dhe nëse diçka fillon të lëkundet, do të lëkundet e tërë Evropa”, ka pohuar ai.

Ai ka thënë se perspektiva evropiane e Ballkanit do të diskutohet në samitin e majit që do të mbahet në Sofje, e që do të ndiqet edhe nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ky do të jetë samiti i tretë ku do të mblidhen vendet e Ballkanit Perëndimor, pas atyre të mbajtur në Selanik më 2003 dhe në Zagreb në vitin 2000.