Teksa vizitoi Edison Adrin, efektivin e plagosur rëndë në Spitalin e Traumës në Tiranë, kryepolici Skënder Hita bëri edhe një reagim publik për ngjarjen ku humbi jetën në krye të detyrës edhe efektivi Enea Mekolli.
Ai shprehu dhimbjen e tij për këtë humbje, teksa shpjegoi se edhe autori i krimit mbeti i plagosur Violand Braçellari gjatë aksionit, ndodhet në spitalin e Korçës, i arrestuar dhe pritet të transportohet gjithashtu drejt Tiranës për mjekim.
“Humbëm një koleg të mrekullueshëm, një baba, një familjar të përkushtuar dhe Policia e Shtetit humbi shërbëtorin e saj punonjësin e saj në shërbim të qytetarëve. Edhe një punonjës policie është i plagosur rëndë dhe po merr ndihmën mjekësore. Edhe personi në kërkim që ishte bërë rrethimi i tij për neutralizimin dhe kapjen e tij është plagosur dhe ndodhet në spitalin e Korçës”, tha Hita.
Në fund ai shpjegoi se ishte shumë i prekur nga ajo që kishte ndodhur dhe pa fjalë, një ngjarje për të cilën shtoi se nuk do donte të ishte para mediave.
“Është vërtetë nga ato ngjarje e cila të lë pa fjalë dhe që ku unë s’do doja sot të isha para jush”, tha ai.
Hita u pyet nga gazetarët nëse ishin marrë masat e duhura operacionale duke vlerësuar rrezikshmërinë e autorit të krimit që ishte i shumëkërkuar dhe nëse po bëheshin hetime për planin operacional.
Ai u përgjigj se:
“Tashmë hetimet kanë filluar si nga Prokuroria e Korçës, ashtu edhe Standardet Profesionale që janë nisur drejt Korçës. Edhe unë nga këtu do nisem drejt Korçës për të ndjekur nga afër çfarë ka ndodhur dhe dinamikën e ngjarjes”.



