Kryeprokurori i shtetit paralajmëron fillimin e hetimeve

Zotohet të jetë i pa kompromis kundër të gjithë atyre që kanë gisht në kidnapimin dhe arrestimin e gjashtë shtetasve turq. Madje nuk do t’i kursejë asnjë prej zyrtarëve të shtetit, përfshirë këtu edhe Presidentin Thaçi. Kryeprokurori Aleksandër Lumezi thotë për Gazetën Express se sapo të marr zyrtarisht kërkesën e Haradinajt për rastin e gylenistëve, do të fillojë menjëherë me hetime.
Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili është caktuar që të udhëheq ekipin për nisjen e hetimeve rreth rastit të arrestimit dhe pastaj deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova ka thënë se nga nesër do të nisin me mbledhjen e provave rreth këtyre arrestimeve.

Gjashtë gylenistët ishin marrë me një avion special nga shërbimi sekret turk MIT, por Lumezi thotë se do hetojë përfshirjen e zyrtarëve të shtetit të Kosovës në këtë aferë.
“Zyrtarisht ende nuk e kam marrë rekomandimin se atë ditë kemi qenë në festë zyrtare dhe ditë pushimi ka qenë. Në bazë të shkresës ne do të veprojmë. Do të sigurohemi se a ka elemente për ndonjë vepër penale. Në bazë të grumbullimit të informacioneve, ne do të shohim se cilët zyrtarë shtetërorë janë përgjegjës lidhur me dëbimin e shtetasve turq”, është shprehur Lumezi.

Duke e komentuar shkarkimin e ministrit të MPB’së Flamur Sefajt dhe atij të AKI’së Driton Gashit, Kryeprokurori vlerëson se shkarkimi nuk u mjafton nëse të njëjtët rreth këtij rasti, të kenë kryer ndonjë vepër penale, pasi për këtë duhet të diskutohet edhe parimi ligjshmërisë.

“Për ne nuk është e mjaftueshme shkarkimi, për neve është indicie nëse ata kanë kryer ndonjë vepër penale. Duhet të diskutohet parimi i ligjshmërisë. Nëse ata kanë kryer ndonjë vepër penale atëherë ne edhe do të veprojmë.

Ne tash do të nisim me grumbullimin e informatave dhe të dhënave dhe pas këtyre do të shohim se a ka bërë ndonjëri nga këta zyrtarë shtetëror vepër penale”, ka shtuar ai.
Presidenti i Kosovës Hashim Taçi fillimisht kishte deklaruar se operacioni është kryer pa dijeninë e tij, por më vonë e arsyetoi deportimin duke thënë sipas AKI’së gylenistët paraqisnin rrezik për sigurinë e vendit.

Megjithëse, Lumezi pranon se ende nga ky institucion nuk kanë ndonjë informacion se këta persona cilësoheshin të rrezikshëm dhe tha se vetëm pasi t’i shqyrtojnë të gjitha dokumentacion atëherë do të veprojmë se ndaj kujt të nisen hetime.

“Ne së pari duhet të kemi informacione të sakta se cili ka qenë vlerësimi i AKI’së. Tani për tani, nuk e kemi asnjë informacion nga AKI se ata persona e rrezikojnë sigurinë shtetërore. E nëse ata persona e rrezikojnë sigurinë shtetërore atëherë ata sigurisht që është deshtë që ta njoftojnë edhe kryeprokurorin e shtetit dhe me fillu ndjekjen penale në Republikën e Kosovës”, thotë Lumezi.

“Ne sigurisht që do t’i sigurojmë të gjitha dokumentacionet, dhe në bazë të këtyre do të shohim se cili nga këta personave do të nisim hetime”, ka sqaruar Lumezi për Express.
Autoritetet në Kosovë të enjten kanë arrestuar dhe më pas kanë dëbuar për në Turqi gjashtë shtetas turq, punonjës në shkollën “Mehmet Akif” në Kosovë.

Shkollat “Mehmet Akif” në Kosovë i përkasin Institucionit Arsimor “Gulistan”. Besohet se ato janë të frymëzuara nga Lëvizja Hizmet e Fethullah Gulenit, klerikut fetar turk, të cilin presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e fajëson për orkestrimin e përpjekjes për grusht-shtet në Turqi, në vitin 2016.

Pas dëbimit të tyre, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte liruar nga detyra që nënkuptonte shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Flamur Sefaj, dhe drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi./GazetaExpress/

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme