Kryeprokurori Lumezi, rezultatet e prokurorit të suspenduar Rexha ua atribuon të gjithë prokurorëve

Në vitin 2017, Kosova ka konfiskuar pasuri të kundërligjshme në vlerë prej 1 milion e 200 mijë euro. Kjo pasuri ishte konfiskuar si rezultat i punës së Prokurorit Ali Rexha i cili kishte ndjekur këtë rast nga fillimi. Ali Rexha, është suspenduar nga Komisioni Disiplinor i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), për shkak të hetimit të anëtarëve të Këshillit Prokurorial për dyshimet e ngritura për veprën penale korruptive të konfliktit të interesit.

Kryeprokurori Lumezi, rezultatet e arritura nga Prokurori Rexha, ua atribuoi të gjithë prokurorëve të shtetit, edhe përkundër faktit se i njëjti rast ishte hetuar dhe ndjekur vetëm nga Prokurori Rexha.

E konfiskimi i pasurisë milionëshe nga ish-gjykatësi i Gjykatës Komunale të Klinës, Kolë Puka, i dënuar me 48 muaj burgim efektiv, 5.000 euro gjobë dhe ndalim i ushtrimit të funksioneve publike për tre vjet për tre vepra penale, është rasti i vetëm i konfiskimit përfundimtar gjatë vitit 2017.

Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike (KKLKE) Shqipdon Fazliu, gjatë takimit të 148-të të KPK-së, ku u miratua raporti vjetor i KKLKE-së, tha se konfiskimi i pasurisë së paligjshme është më specifike në raport me të gjitha fushat tjera të sistemit prokurorial. “Kjo dëshmohet me faktin që deri në shtator 2017 kemi pasur pothuajse 0 raste të konfiskimeve përfundimtare” tha Fazliu.

Por sipas Fazliut, në periudhën pas shtatorit ka ndryshuar gjithçka për të mirë. “Tashmë kemi mbi 1 milionë e 200 mijë konfiskime përfundimtare nga një rast i vetëm, përmes një aktgjykimi ku janë konfiskuar shumë asete të një ish-gjykatësi e të cilat kalojnë në pronësi të shtetit. Kemi të bëjmë me një ish-gjyqtar, dhe konfiskimi ka ndodhur nga vepra penale e keqpërdorimit të detyrës zyrtare”, deklaroi Fazliu.Tutje, Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike tha se ky rast është një hap i madh, dhe praqet një progres të sistemit gjyqësor e prokurorial në tërësi.

Mirëpo, sipas Fazliut problematikë në vete paraqet edhe fakti se statistikat lidhur me sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme nuk mbahen në mënyrën më të mirë të mundshme.

Konfiskimin e pasurisë milionëshe të ish-gjykatësit Puka, Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi e konsideroi si një sukses shumë të mirë. “Ky sukses shihet edhe nga raporti i Amnisty International, i cili ka treguar se në nivel të Kosovës ka pasur sukses, e që këto merita duhet ti atribuohen prokurorëve të shtetit” tha Lumezi. Edhe përkundër faktit se meritat për konfiskimin e pasurisë në këtë rast i takojnë Prokurorit Ali Rexha i cili e ka ndjekur këtë rast nga fillimi, Kryeprokurori meritat për këtë rast ua atribuon të gjithë prokurorëve të shtetit, përcjell Koha,net raportin e Betimi për Drejtësi .

KPK më 1 dhjetor 2015, ka miratuar Planin Strategjik (2016-2018) dhe Planin e Veprimit për Ngritjen e Efikasitetit të Sistemit Prokurorial në Luftimin e Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike, përfshirë Sekuestrimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Paligjshme (në vazhdim: Plani i Veprimit).Plani i Veprimit ka përcaktuar se KKLKE do të monitoroj rastet që ndërlidhen me krimet ekonomike, përfshirë sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme. KKLKE ka përmbushur obligimet e tij për raportuar para KPK-së lidhur me aktivitetet e tij lidhur me sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

KKLKE ka raportuar dy herë gjatë gjashtë mujorit të parë të vitit 2017, më 10 shkurt ka raportuar para KPK-së për periudhën korrik-dhjetor 2016 ndërsa më 29 maj ka raportuar për periudhën janar-mars 2017. Gjatë periudhës raportuese të këtij tre mujori ka informacion vetëm për një rast të veprave penale kundër korrupsionit. Bëhet fjalë për një konfiskim në vlerë të 100.000.00 eurove të cilat janë derdhur në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë. Gjatë këtij takimi, Fazliu kishte deklaruar se gjatë periudhës janar-mars 2017 janë sekuestruar mbi 10 milionë euro pasuri të fituar në mënyrë të kundërligjshme, prej të cilave 4 milionë nën dyshimin se është kryer vepra penale e shpëlarjes së parasë.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në vazhdimësi ka raportuar për mungesën e konfiskimit dhe sekuestrimit të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme. Në raportin e fundit të publikuar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2017, me titull “Luftë, persekutim apo amnisti në emër të luftës kundër korrupsioni” të publikuar më 21 dhjetor të vitit të kaluar, thuhet se vazhdon të mbetet shqetësues fakti se ka asete për të cilat është raportuar se janë sekuestruar që nga viti 2000 e tutje, dhe të njëjtat nuk janë propozuar në aktakuza për konfiskim.

Sipas IKD-së gjithashtu Ligji për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale ka shumë të meta dhe është jo funksional. Sipas IKD-së, KKLKE ka dështuar të ofroj informacion para KPK-së lidhur me kërkesat për sekuestrim dhe konfiskim të pasurisë së fituar përmes veprave penale kundër korrupsionit.

© KOHA.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme