Në takimin me prokurorët nga rajoni, të cilin e ka organizuar kryeprokurori i SHBA-së Jeff Sessions, prokurorja e shtetit nga Serbia Zagorka Dolovac, ka biseduar me përfaqësuesin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, i kanë thënë jo zyrtarisht gazetës së Beogradit “danas” burime diplomatike në Kosovë.
Takimi në katër sy u bë me ndërmjetësim të Jeff Sessions e njëra nga temat e biseduara ka qenë edhe hetimi për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, kryetar i Iniciativës qytetare „Srbija, demokratija, pravda“ – Serbia, demokracia , drejtësia, transmeton Koha.net.
Detajet e bisedës nuk kanë rrjedhur në opinion, përcjell gazeta beogradase ndërsa shton se katër muaj e gjysmë pas vrasjes së Ivanoviqit ende zyrtarisht nuk është kumtuar asnjë rezultat.
Sipas kësaj gazete, me insistimin e BE-së e të SHBA-së, hetimet për këtë rast i zhvillojnë institucionet e Kosovës, ndërsa Beogradi zyrtar është mjaftuar me këmbimin e informatave.
Aleksandër Lumezi, kryeprokurori i shtetit dhe mikpritës formal i takimit, dy javë pas vrasjes së Ivanoviqit kishte thënë se “ekzistojnë disa dëshmi, porse, përkundër kërkesës së Prishtinës, organet e drejtësisë në Serbi nuk i kanë dërguar informata që i kanë për krimin“. Hetimet atëherë i zhvillonte Prokuroria e Qarkut në Mitrovicë. Lumezi atëbotë kishte thënë se “organet nga Beogradi nuk po bashkëpunojnë me organet e Kosovës për zbulimin e identitetit ë vrasësit“, transmeton Koha.net.
Në fillim të marsit, hetimet për vrasje i ka ndërmarrë Prokuroria Speciale e Kosovës. Spekulohet se i gjithë materialin dëshmues e kanë marrë shërbimet informative në Kosovë- Britania e Madhe, Gjermania dhe SHBA-ja, ndërsa pas zhvendosjes së hetimeve nga Mitrovica në Prishtinë, kontrollin e ka marrë Ambasada amerikane në Kosovë.