Mbledhja e djeshme e kryesisë qendrore të BDI-së lidhur me definimin e pikave për fillim të negociatave për formim të qeverisë së re, sipas burimeve partiake të Libertasit, ka kaluar me polemika të nxehta mes dy taborreve – pro dhe kundër koalicionit sërishëm me Gruevskin.
Lideri i partisë Ali Ahmeti, sipas këture burimeve, më tepër ka qenë pro koalicionimit të ri me VMRO-DPMNE, për dallim prej shumicës së kryesisë e cila ka qenë kundër.
Shumica ka kërkuar që vazhdimi i mandatit të Prokurorisë Speciale Publike të jetë pjesë e negociatave përkundër qëndrimit të Gruevskit së VMRO-DPMNE-së që PSP të mos marrë mandat të ri, transmeton Gazeta Lajm.
Burimet partiake në BDI kanë thënë se lideri Ahmeti ka qenë kundër asaj që mandati i ri i PSP-së të jetë kusht për negociatat për qeveri të re, respektivisht më tepër ka anuar që të lihet hapësirë për koalicionim me Gruevskin. Me qëndrimin e Ahmetit është pajtuar edhe Bekim Neziri, shef i shtabit zgjedhor të BDI-së në zgjedhjet e fundit dhe Artan Grubi, shef i kabinetit të Ahmetit.
“Musa Xhaferi ka heshtur dhe nuk është prononcuar nëse është për koalicion me VMRO-DPMNE-në ose me LSDM-në. Megjithatë pjesa më e madhe e anëtarëve të kryesisë qendrore të BDI-së nuk është pajtuar me qëndrimin e liderit dhe e kanë mbivotuar dëshirën e tij për që më tepër hapësirë për qeveri të re t’i jepet Gruevskit”, shkruan Libertas.
Në ndërkohë kabineti i kryetarit të Bashkimit Demokratik, për Integrim (BDI), përmes një kumtese për mediumet e demanton ashpër spekulimin dhe trillimin e rëndë të portalit Libertas lidhur me takimin e djeshëm të Kryesisë qendrore të BDI-së në Tetovë.
Takimi i KQ të BDI-së, thuhet në kumtesë, kaloi në atmosferë konstruktive dhe kolegiale, me debat të hapur dhe konstruktiv dhe analizë të hollësishme për gjendjet në vend.
Siç ceket në kumtesë, Bekim Neziri nuk është anëtar i Kryesisë së BDI-së dhe as nuk ka qenë prezent në takim, përderisa deputeti Artan Grubi aspak nuk ka marrë fjalë në takimin e djeshëm, e aq më pak ka pasur polemikë të ashpër mes dy taborreve të trilluara dhe joekzistuese në BDI nga ana e porrtalit.
“Lajme të rrejshme lidhur me qëndrimet e BDI-së janë dukuri e shpeshtë në disa portale të koordinuara në gjuhën shqipe dhe maqedonase dhe për kët. arsye u bëjmë thirrje mediumeve t’i përmbahen raportimit korrekt dhe të kërkojnë qëndrim nga ana e përfaqësuesve zyrtar të BDI-së lidhur me të gjitha dilemat e tyre. Konkludimet e KQ të BDI-së u miratuan njëzëri dhe më pas u transmetuan në të gjitha mediumet”, thuhet në fund të kumtesës së BDI-së.