Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë, Nevrus Kaptell, ka shkuar sot në Kosovë për të mbështetur grevën e SBASHK-ut, grevë e cila vijon që prej 25 gushtit. Ai jo vetëm që ka folur për të drejtën e arsimtarëve për grevë dhe rritjen e pagave, por ka qortuar gjithashtu Qeverinë e Kosovës, kur thoshte sot në Prishtinë se “Nuk ka asnjë shtet demokratik në botë që Qeveria s’i respekton mendimet e mësimdhënësve. Madje, një qeveri e përgjegjshme, duhet së pari nga të gjitha sindikatat e tjera, t’i vlerësojë sindikatat e mësimdhënësve”.
Novrus Kaptell është një kryetar sindikate i emëruar nga qeveria Rama, sepse në Shqipëri ai asnjëherë të vetme nuk u angazhua për të drejtat e arsimtarëve. Asnjëherë të vetme nuk i kërkoi qeverisë së tij të respektojë të drejtat e arsimtarëve shqiptarë! Një sindikalist, i cili solidarizohet, mbështet dhe madje udhëton nga Tirana në Prishtinë për të mbështetur homologët e tij, do të duhet të ishte ndjerë së paku njëherë të vetme në vendin e tij në mbrojtje të së drejtës. Por ndërsa Rrahman Jasharaj së paku është i njohur në Kosovë për sindikalizëm, Nevrus Kaptell për herë të parë sot u bë i njohur me prezencën e tij në krah të Jasharajt në Prishtinë.
Problemet që ka arsimi në Shqipëri, përfshirë dhe pagat e mësuesve, pedagogëve etj., janë probleme që ulërijnë. Mësuesit në Shqipëri punësohen sipas bindjeve politike, në shumicë si patronazhistët e pushtetit. Por, kryetari i sindikatës nuk ka dëshirë të merret me këtë problem. Paga e mësuesit në Shqipëri u rrit dhe u mbi dyfishua në periudhën 2005-2013, ndërkohë që në nëntë vitet e qeverisjes së rilindjes rritja e saj ka qenë me një shifër, më pak se dhjetë për qind. Flas për rritjen reale të saj. Ndërsa, një profesor në Kosovë ka një pagë jo më pak se 1400 euro neto, në Shqipëri kjo pagë shkon te 800-830 euro. Një asistent i profesorit në universitetet e Kosovës merr më shumë se vetë profesori në Shqipëri.
Problematikat me të cilat përballet arsimi në Shqipëri përfshijnë sidomos çështjen e frekuentimit të shkollave. Janë mbyllur me qindra shkolla, sepse janë boshatisur prej nxënësve për shkak të emigracionit të programuar të qeverisë Rama. Por, sindikata e Kaptell as është dëgjuar ndonjëherë të flasë për këtë problem madhor të zhbërjes së kombit shqiptar! Shkolla në Shqipëri përdoret politikisht dhe përdorimin politik e mbështet vetë kryetari i sindikatës së arsimit. Me rilindjen shkollat janë kthyer ne celula të Partisë në pushtet dhe propagandojnë pa pushim brenda e jashtë saj për pushtetin e inkriminuar të Edi Ramës.
Në këto kushte udhëtimi i kreut të sindikatave të arsimit në Shqipëri për në Prishtinë dhe deklaratat e tij në mbështetje të grevës kundër qeverisë duket si një udhëtim i deleguar nga Edi Rama. Unë u takoj atyre që e kam kundërshtuar grevën e sindikatës së arsimit në Kosovë për shkak të motiveve politike që i shtyjnë drejtuesit e saj kundër qeverisë së zotit Kurti. E kam lidhur këtë grevë me motivet politike të opozitës së Kosovës për ta rrëzuar qeverinë legjitime të zotit Kurti, por edhe për të rrezikuar zgjidhjen në dialogun me Serbinë. Ndërkaq greva vazhdon edhe pse në projekt-ligjin për pagat parashikohet që paga e mësuesit në Kosovë të jetë rreth 750 euro, një shifër kjo, të cilën mësuesit e Shqipërisë do ta shohin vetëm në ëndërr.
Kam aluduar që në qershor në një koment timin se takimet e Abdixhikut, Haradinajt dhe Enver Hoxhajt me Edi Ramën kishin si qëllim organizimin e koordinimin me Tiranën për ta rrëzuar qeverinë e sotme në Prishtinë. Ndërsa, sot shkuarja e kreut të sindikatës së arsimit të Shqipërisë në Kosovë më shërben si fakt i pakontestueshëm për të provuar atë që kam dhënë si aludim para katër muajve. E thënë qartë: Greva e sindikatës së arsimit në Kosovë është grevë e opozitës në koordinim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Madje është grevë e kërkuar nga Edi Rama. Nevrus Kaptell është atje si i dërguari i Edi Ramës. Ai ka dërguar në Prishtinë mesazhet dhe përshëndetjet e kryeministrit të Shqipërisë, në mos edhe ndonjë letër përshëndetje personale për Rrahman Jasharajn.
Prej sot nuk dyshoj aspak më në faktin se zoti Rama ka marrë zotimin e tij para presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, me qëllim rrëzimin e qeverisë Kurti për shkak të koracës së tij në përballje për mbrojtjen e interesave të Kosovës në dialog me Serbinë. Edi Rama bën gjithçka që ta shohë presidentin serb në këtë dialog e në gjithçka tjetër gjithnjë fitues. Ai beson fort se fitorja e Vuçiqit është edhe fitore e kryeministrit të Shqipërisë. Ndërsa, fitorja e Kosovës nuk i jep asnjë shans për të forcuar e çimentosur pushtetin e tij të grabitur.
Takimi i sotëm i dy sindikalistëve të Shqipërisë dhe atij të Kosovës në Prishtinë dhe deklaratat anti-qeveri të të dyve, janë sinjal krejt i qartë dhe i kuptueshëm për këdo që dëshiron t’i dijë motivet e grevës së thirrur për mësuesit në Kosovë! Ai që më kundërshton në emër të së drejtës për grevë të arsimtarëve, duhet ta dijë se homologu i Jasharajt në Shqipëri i ka bërë mësuesit ta harrojnë fjalën “grevë”! Sepse është plotësisht në shërbim të qeverisë dhe i emëruari i Edi Ramës në atë detyrë!/BS