Kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti sot ka vizituar Gjimnazin “Ulpiana” në Lipjan. Gjatë kësaj vizite ai u njoftua nga menaxhmenti i shkollës me ecurinë e zhvillimit të procesit mësimor dhe problemet me të cilat po ballafaqohet shkolla e re.
Drejtori i Gjimnazit Semir Gashi e njoftoi kryetarin se kanë probleme të theksuara me objektin e ri të financuar dhe mbikëqyrur nga MASHT. Pasi i vizitoi disa nga defektet siç janë: Salla e sportit, ngrohja qendrore, sistemi i ujësjellësit, kanalizimit, dyshemetë e klasave, fusha e jashtme e sportit, kulmi etj. Nga gjendja që pa nga afër Kryetari Ahmeti ka mbetur i habitur se si është e mundur që paraja publike të keqmenaxhohet në këtë mënyrë.
Në këtë rast Kryetari Imri Ahmeti me këmbëngulje kërkon përgjegjësi dhe llogaridhënie institucionale nga financuesi, implementuesi dhe mbikëqyrësi i këtij projekti e që në këtë rast është MASHT.
Kryetari Imri Ahmeti kërkon nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që urgjentisht të merret me sanimin e këtyre defekteve dhe shkaktarët e kësaj gjendje të rëndë të shkojnë në përgjegjësi.