Kryetari i Lëvizjes së re, Arian Galdini ka bërë një postim në Facebook-un e tij ku analizon situatën politike në vend duke thënë se tashmë shqiptarët e dinë dhe e njohin të vërtetën e kësaj qeverie.
“Po nuk ndryshoi burimi dhe identiteti i fuqisë politike në Shqipëri, maksimumi që do të ndodhë do të jetë kalimi tek Lideri i 5 i PS dhe Doktori do të bëjë shkartisje saksishë në Ballkon, derisa si Shën Palit ti shfaqet drita e të konvertohet…”- shkruan Galdini në postimin e tij, duke theksuar se tashmë ka ardhur koha për ndryshim.
Postimi:
Rroftë Sali Berisha, Rroftë Edi Rama, Rroftë Ilir Meta, Rroftë Lulzim Basha, Rroftë Erion Veliaj…
Nga Arian Galdini
Mendojeni kaq thjeshtë.
Që Enver Hoxha dhe Partia Komuniste të vinte në pushtet në vitin 1944, duhej një luftë botërore, 1 mbret në arrati dhe 1 anije e aleatëve për të marrë me vete në botën e lirë pothuajse të gjithë udhëheqësit e Ballit dhe Legalitetit.
E çfarë ndodhi këtu pas kësaj?
Nga Lasgush Poradeci tek Petro Marko nga Mitrush Kuteli tek Jusuf Vrioni e Kasem Trebeshina, etj, etj, etj, pafund, pothuajse të gjithë intelektualët dhe mendjendriturit e vendit tonë përfunduan ose të burgosur, ose të internuar, e padiskutim të gjithë të dënuar me harresë.
Shqipëria e re njëlloj si Kinostudio Shqipëria e re, u bë nga e para, prej themelit e deri në kulm.
Madje edhe Njeriu u bë Njeriu i ri.
Që të binte Ramiz Alia dhe PPSH u desh rënia e Murit të Berlinit, vrasja e çiftit Çauseshku në Bukuresht dhe Teatri Kombëtar i Lëvizjes Studentore të dhjetorit 1990.
Partia Komuniste e lindur në 8 nëntor 1941, e mori pushtetin në vitin 1944, u bë PPSH, dhe e dorëzoi pushtetin në 22 mars 1992 si PS.
Sekretarin e Parë të PPSH e rrëzoi nga pushteti në vitin 1992, një ish – Sekretar i PPSH që drejtonte një parti të re, ku 80% e drejtuesve ishin ish – anëtarë të PPSH, ish – Sigurimsa, ish – Fuksa, e kështu me radhë.
E nuk kishte si të ndodhte ndryshe, sepse sikurse e thamë qartazi më lart, Enver Hoxha dhe PPSH, në 46 vite pushtet absolut prej 1944 deri në 1990, e kishin bërë çdo gjë të re, deri tek Njeriu i ri.
Ja ku jemi sot në vitin 2024.
PKSH e mori pushtetin në vitin 1944, u bë PPSH dhe e mbajti pushtetin e vetme deri në vitin 1990, pra plot 46 vjet.
Në qershor të vitit 1991, PPSH ndryshoi liderin dhe emrin dhe u bë PS me Kryetar Fatos Nanon.
PS e mbajti pushtetin deri në marsin e vitit 1992.
1944 – 1992 janë 48 vjet pushtet.
PS u rikthye në pushtet edhe 8 vjet të tjera, nga 1997 deri në vitin 2005, e iu bënë 56 vjet në pushtet.
Në këtë pikë ku jemi PS po përmbyll edhe 12 vjet të tjera në pushtet e i bëhen jo pak por 68 vjet.
Perëndimi, SHBA dhe BE, prej vitit 2014, na kanë thënë e ripërsëritur se do të na ndihmojnë e mbështesin që ne shqiptarët të çlirohemi nga “të korruptuarit”, “të pandëshkueshmit”, “të paprekshmit e politikës” dhe nga “grupet kriminale”, që të kalojmë në një fazë të re të ndryshimit dhe zhvillimit të vendit.
Por edhe pse janë hedhur qindra miliona euro/dollarë investim nga taksapaguesit amerikanë dhe europianë, kemi 10 vjet që mezi kemi kapur kokën e Kokës dhe arratisur Arbenin që ka mësuar të eci vetë.
U bë një reformë e tërë në Drejtësi e u tundën dhe shkundën të gjitha institucionet e Drejtësisë nga tabani në majë, dhe na u tha se u krijua Drejtësia e Re e cila u ka prishur gjumin dhe qetësinë të gjithë atyre të Plotfuqishmëve të Politikës dhe Krimit në Shqipëri.
Ok, për mua nuk ka arsye ta dyshoj këtë sepse unë vetë jam natyralisht mbështetës pa kushte i Perëndimit, i SHBA sidomos dhe i Reformës në Drejtësi.
E konsideroj vetë Proamerikan pa kushte dhe natyral, dhe me gjithë shpirt e vendos veten në vijë të parë të mbështetjes së çdo reforme që bëjnë SHBA në vendin tim, sidomos të Reformës në Drejtësi.
Por më lejoni të mos tradhëtoj sytë e mij, mendjen time dhe shpirtin tim.
Çfarë më shohin sytë mua dhe çfarë më thotë mendja dhe shpirti mua???
Perëndimi, SHBA dhe BE po e bëjnë Reformën në Drejtësi me Edi Ramën dhe PS.
PS është ajo Partia e Punës që ka prej 1944, 68 vjet pushtet.
PS është ajo partia që ka krijuar Njeriun e ri.
Ndërsa Edi Rama është udhëheqësi i 4 partisë që e ka themeuar Enver Hoxha, e pas tij Ramiz Alia dhe pas këtij e mori Fatos Nano.
Përballë Edi Ramës që drejton Partinë e Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, është Sali Berisha që ka qenë 28 vjet Sekretar në partinë e Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë.
Ilir Meta e ka të qartë se atij i duhet shalli i pionierit për të shkuar në Konferencën e Pezës, ku herë bëhet me “Partinë” e herë me “Ballin”, herën me të dyja bashkë, e herë kundër të dyjave, sipas nevojës.
Kur “Grupet Politike” janë këto që janë dhe drejtohen nga këta “Udhëheqës” që janë, a mund të ma thotë dikush, sa shanse ka Reforma në Drejtësi që realisht ta ndryshojë thelbin e pushtetit dhe “identitetit të tij të vërtetë” në Shqipëri?
Kush mund ta besojë se Sali Berisha është i keqi dhe Edi Rama i miri???
Kush mund ta besojë se kemi realisht dhe vërtetësisht një “luftë” mes “djemve të mirë” dhe “djemve të këqinj” në qytetin tonë politik???
Nëse Perëndimi, SHBA dhe BE i shohin Edi Ramën pasuesin e Enver Hoxhës dhe PS pasuesen e PPSH, si “djemtë e mirë” që po transformojnë Shqipërinë, le ta thonë këtë më mirë me një gjuhë më brutale të logjikës së fuqisë, por të mos na e shesin si “përpjekje morale për drejtësi dhe antikorrupsion”…
Këtë e them me gjithë shpirt.
Jam i tillë, që moralin e quaj fuqi, por fuqinë nuk e quaj aspak moral.
Perëndimi, SHBA dhe BE e kanë fuqinë.
Le ta përdorin.
Mjafton.
Moral, më vjen keq por këtu nuk ka fare.
Asnjë shqiptar nuk është i verbër.
Shqiptarët e dinë dhe e njohin të vërtetën.
E dinë absolutisht të gjithë shqiptarët se kush është modeli dhe realiteti qeverisës i Edi Ramës dhe PS.
Nëse sot, shumica e shqiptarëve mbështesin me votë PS dhe Edi Ramën, e bëjnë sepse e dinë mirë që Edi Rama dhe PS kanë lejen dhe inkurajimin që të jenë më të fortët në fushë me çdo mjet.
Ma besoni, nuk ka shqiptarë që kanë dilemë në ndonjë fuqi morale apo epërsi morale të Edi Ramës apo PS…
Të gjithë shqiptarët janë të kthjellët kristal për fuqinë dhe epërsinë e lejes për përdorimin e fuqisë që kanë Edi Rama dhe PS përmbi këdo.
Kjo është arsyeja pse rrebelimi i shqiptarëve është kaq eklektik.
Nuk ka rrebelim moral.
Ka thjesht rrebelim fuqie.
Ka ende e do të ketë për gjatë kohë, shumë nga ata që janë të gatshëm ti shkojnë pas Sali Berishës edhe nëse ai qëndron mbi ballkon apo edhe tek 7 Penxheret, sepse e shohin si model e masë fuqie.
Është e kotë tu thuash atyre se Sali Berisha është Non Grata, i korruptuar e bla bla bla.
Ata e dinë si funksionon loja.
Ata e dinë se nuk jemi në kushtet kur Sali Berisha është e keqja e madhe dhe Edi Rama është e mira.
Ata e dinë se Sali Berisha është fuqia e cila mund të ekuilibrojë mbifuqinë e Edi Ramës.
Kjo është e vërteta.
Edhe ata që shkojnë pas Ilir Metës dhe Lulzim Bashës, kanë pak a shumë të njëjtën logjikë zgjedhjeje mes fuqive ekuilibruese.
Kuptohet që “elitat” i kanë parë fuqinë e Edi Ramës, Sali Berishës, Ilir Metës, Lulzim Bashës, etj, si “parcela” mundësie brenda raporteve të fuqive që janë të dukshme apo potencialisht konkuruese mes tyre.
Edi Rama fiton sepse Edi Rama ka fuqi dhe leje për përdorim fuqie për të bërë mbi 60 deputetë, e bashkë me ta edhe shumë ministra, drejtorë, këshilltarë, kryetarë bashkie, etj, etj.
Sali Berisha do të jetë i dyti më i fuqishëm sepse mund të bëjë së paku 30 deputetë e sipër, e pak Kryetarë Bashkie, plus ca këshilltarë bashkiakë e drejtorë lokalë.
Ilir Meta dhe Lulzim Basha duan të tregojnë se me ta mund të bëhen 4 apo 5 deputetë e ku i dihet…
Për Ilir Metën dhe Lulzim Bashën ata 4 apo 5 deputetë mund të jenë thjesht mbijetesë në lojë por edhe shans për ndonjë llotari nëse Edi Rama nuk i bën dot 70 deputetë e përmbi, vetë.
Panorama e fuqive është kjo.
Të gjitha fjalët që fliten e thuhen poshtë e lart me moral e shpëtimtar, janë broçkulla.
Edhe sikur Reforma në Drejtësi të bëjë namin e ti fusë të gjithë këta në burg, psh, raportet e fuqive janë këto e nuk përcaktohen as nga morali dhe as nga “dënimet”.
Shqipëria ja nevojë për akte, gjurmë dhe sprova e shembullzim për rikthimin e moralit në këtë vend.
Perëndimi, SHBA dhe BE, Reforma në Drejtësi, mund të ndryshojnë ca emra dhe balancat e fuqive, por jo natyrën dhe identitetin e vërtetë të pushtetit e fuqive në Shqipëri.
Natyra dhe Identiteti i vërtetë e kanë ditëlindjen në 8 nëntor 1941.
PKSH që u bë PPSH e që sot është PS, është kujdesur ta konkurojë vetveten herë pas here në periudhën e pas 1990 me ndonjë bijëz të sajën politike që e drejton ndonje bir besnik i asaj vatre politike.
Dhe këtu çdo gjë bëhet e qartë e më qartë.
Po nuk ndryshoi “burimi dhe identiteti i fuqisë politike” në Shqipëri, maksimumi që do të ndodhë do të jetë kalimi tek Lideri i 5 i PS dhe Doktori do të bëjë shkartisje saksishë në Ballkon, derisa si Shën Palit ti shfaqet drita e të konvertohet…
Deri atëherë, ne të tjerët do të jemi mish për luanët në Arenën ku Perandori argëton turmat.
Arian Galdini