Kryetari i Partisë Republikane Serbe: Kam dëshmi që Vuçiq ka urdhëruar likuidimin e Oliver Ivanoviqit

Kryetari i Partisë Republikane serbe, Nikolla Sandulloviq akuzon drejtpërdrejt presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se qëndron pas likuidimit të politikanit të moderuar serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

Kur kanë kaluar më shumë se një vit e gjysmë nga vrasja ende e pandriçuar e Ivanoviqit, Sandulloviq në intervistën ekskluzive për Gazetën Lajm dhe për Lajm.Tv, jep pistën më të sigurt të dyshimeve që është paraqitur deri më tani. Kurse akuzat e tij në adresë të Vuçiqit nuk janë paushalle, por i bazon në bisedat direkte që ka zhvilluar me Ivanoviqin para se të likuidohej.

“Unë kam pasur kontakte me njerëz që kanë qenë këshilltarë në Këshillin e Mitrovicës dhe për fat të keq të Aleksandar Vuçiqit dhe bashkëpunëtorëve të tij, unë jam njohur me Oliver Ivanoviqin që në vitet 90-ta dhe ai ka ardhur tek unë kur kemi rrëzuar sistemin e Millosheviqit. Si politikanë me mendime dhe vizione të njëjta, kemi pasur bashkëpunim dhe nuk kemi pasur sekrete mes veti. Unë jam takuar edhe me njerëzit që janë rrahur dhe që kanë qenë në burg bashkë me Oliver Ivanoviqin dhe që janë takuar me të para vrasjes, kur ka ardhur në Beograd për tu marrë në pyetje te Aleksandër Vuçiqi dhe ku i është tërhequr vërejtja që të mos kundërshtojë planet e Vuçiqit për themelimin e Listës Serbe. Unë kam pasur kontakte të shumta dhe kamë dëgjuar personalisht nga Oliver Ivanoviqi se Vuçiqi është duke e kërcënuar në mënyrë direkte. Në bazë të asaj që më ka treguar Ivanoviq, kërcënimet ndaj tij kanë qenë të njëjtit stil sikurse kërcënimet ndaj gazetarit të vrarë Sllavko Çuruvija, por edhe ndaj ish kryeministrit Zoran Xhinxhiq. Nëse këtu ndërlidhim edhe faktin që Oliver Ivanoviq ka pasur takime të afërta me Vuçiqin ku është kërcënuar se edhe ai do të vritet, këtë mua vetë ai ma ka treguar, atëherë kamë bazë të arsyeshme për të dyshuar se pas vrasjes së tij qëndron banda kriminale afër Aleksandër Vuçiqit e cila në Mitrovicë maltreton serbët” ka deklaruar Sandulloviq.

Duke folur për serbët e Kosovës, Sandulloviq thotë se ata nuk kanë problem me shqiptarët, por kanë problem me siç i quan, “bandat e Vuçiqit”. Prandaj kërkon që për fatin e tyre të bisedojnë politikanë të guximshëm dhe me vizion, e jo politikanë që aktrojnë sikur të jenë vetë zoti.

“Ata nuk kanë problem me popullin shqiptar, ata kërkojnë që politikanët nga Serbia të largohen dhe t’i lënë të gjejnë marrëveshje për bashkëjetesë me shqiptarët, e jo të përzihen vazhdimisht, sepse çdo herë që ata janë përzier kanë pasur probleme. Deri sa dikush aktron politikanë të mençur, qytetarët humbin kokën dhe lëshojnë shtëpitë e tyre. Mendoj se kjo është pika kyçe dhe kritike ku do të thyhen negociatat mes Serbisë dhe Kosovës, por vetëm më ndihmën e politikanëve të vërtetë, me vizion të shëndoshë dhe pa frikë që të dalin t’i thonë gjërat ashtu siç pret popullata prej tyre. Mes politikanëve që janë zëri i popullit, e jo poliitikanëve që aktrojnë zotur të vegjël” tha Sandulloviq.

Sandulloviq është një ndër kritikuesit më të ashpër dhe më të guximshëm të politikave të presidentit serb. Ai shprehet i bindur se për të ruajtur pushtetin Vuçiq do të shkaktojë luftë qytetare në Serbi dhe në rajon.

“Për fat të keq, jemi dëshmitarë që mbeturinat e komunizmit dhe mbeturinat e regjimit diktatorial të Millosheviqit sot janë në pushtet në Serbi. Ky regjim në mënyrë të paskrupullt ka bë luftëra, ka mbjellë urrejtje dhe luftën e kanë shfrytëzuar ekskluzivisht për pasurim personal, duke plaçkitur qytetarët në tërë ish Jugosllavinë dhe më në fund duke shkaktuar luftë. Kemi njeri në Serbi që është i prirë ndaj kësaj, njeri i cili politikisht dhe ideologjikisht është pjekur pranë njeriut të dënuar për krime lufte, Vojisllav Sheshelit, që është produkt i UDB-së dhe policisë sekrete komuniste dhe që ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Sllobodan Millosheviqit. Unë pres që akti i fundit i skenarit të tij për të mbetur në pushtet, për të ruajtur kapitalin e vjedhur dhe për t’i ikur arrestit, Aleksandar Vuçiq do të aplikojë moduset e fundit të diktatorëve për të mbetur në pushtet, e kjo është që të shkaktojë luftë qytetare” theksoi Sandulloviq.

Sipas Sandulloviq, Vuçiq nuk është problemi i vetëm. Ai thotë se Ministri i mbrojtjes në Serbi është i varur nga droga.

“Ne në Serbi kemi një problem, kemi një ministër të mbrojtjes që është mjaft diskutabil dhe për të cilin thuhet se është i varur nga substanca të ndaluara, kemi ministër të policisë person i cili ka qenë i maltretuar psiko-fizikisht nga Aleksandar Vuçiqi kur e ka kundërshtuar një herë. Por në përgjithësi kemi në pushtet shërbëtor të tij që kanë fuqi të madhe dhe që mund ë shkaktojnë një konflikt brenda Serbisë” u shpreh Sandulloviq.

Si politikan djathtist, Sandulloviq thotë se e keqja më e madhe e popujve të Ballkanit ka qenë komunizmi dhe është i mendimit se ky sistem ene jeton në të gjitha poret e shoqërisë. Kryetari i PRS-së poashtu thotë se po vuan pasoja të shumta nga kundërshtimi ndaj politikave të Vuçiqit që e konsideron si mbetje nga regjimi i Millosheviqit dhe se për këtë arsye ka marrë shumë kërcënime për likuidim fizik të familjes./Gazeta LAJM

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme