Komuna e Pejës edhe vitin e kaluar nuk e ka ndalur dorën për pagesat e drekave zyrtare me paratë e taksapaguesve. Vitin e kaluar për “Shpenzimet e përfaqësimit – dreka zyrtare”, nga arka komunale janë paguar 31 mijë e 268 euro.
Në fakt janë 9 mijë e 585 euro më pak se në vitin 2017, kur janë shpenzuar 40 mijë e 853 euro, por krahasuar me vitet e tjera paraprake shuma e mjeteve të shpenzuara për dreka zyrtare ka mbetur relativisht e njëjtë, shkruan sot Koha Ditore.
Për pesë vjet të qeverisjes së këtij koalicioni LDK-PDK, kjo komunë ka shpenzuar gjithsej 169 mijë e 694 euro për dreka zyrtare. E duket se për kryetarin e Komunës këto shpenzime janë të paarsyeshme dhe ai në takimin e fundit të Bordit të Drejtorëve ka vendosur që deri në muajin qershor t’ua ndalojë drejtorive komunale shpenzimet për dreka zyrtare, me qëllim të kursimit të mjeteve buxhetore.
Kjo masë e kryetarit nuk po merret fort seriozisht nga opozita, duke marrë parasysh që vlen vetëm për dy muaj e jo më gjatë.