Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi përmes një postimi të bërë në Facebook ka treguar se ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale.
Ai ka thënë ndër të tjera se luftërat çlirimtare nuk mund të gjykohen, sepse përmbajnë në vete parimin e shëndoshë të humanizmit dhe të drejtësisë. Parime këto të përqafuara dhe të përfaqësuara nga kombet e civilizuara e të përparuara të botës Perëndimore.
Sot kam pranuar një ftesë për t’u paraqitur në Zyrën e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë.
Kam qenë i vetëdijshëm se rrugë tjetër për çlirimin e popullit shqiptar përveç luftës së armatosur nuk ka. Zaten, kjo është mënyra e vetme për të hequr robërinë popujt e pushtuar. I bindur në këtë pikëpamje, gjithnjë jam munduar që të bëj më të mirën për vendin tim, pa i cenuar vlerat morale të kombit shqiptar, të dëshmuara në luftë dhe në paqe.
Jam thellësisht i bindur se asnjë forcë në botë nuk do të arrijë të përbalt luftën tonë të drejtë çlirimtare, sepse mbi çdo skenar dashakeqës qëndron parimi i popujve për liri dhe të drejta kombëtare. Prandaj, luftërat çlirimtare nuk mund të gjykohen, sepse përmbajnë në vete parimin e shëndoshë të humanizmit dhe të drejtësisë. Parime këto të përqafuara dhe të përfaqësuara nga kombet e civilizuara e të përparuara të botës Perëndimore.
Besoj në drejtësinë dhe asnjëherë nuk do të hezitoj të vihem në mbrojtje të të drejtës për liri e dinjitet njerëzor e kombëtar dhe jam gati të përballem me çfarëdo sfide. Mbetem i përkushtuar në sendërtimin e idealeve të kombit shqiptar dhe nga kjo rrugë nuk ka forcë që të më shkëpusë.