Komisioni Shtetëror fton qytetarët që të shfrytëzojnë periudhën e shqyrtimit publik të listës zgjedhore dhe të kontrollojnë të dhënat në listë.
“Deri më 18 mars është i hapur shqyrtimi publik i listës zgjedhore që nënkupton se të gjithë qytetarët kanë mundësi që të kontrollojnë të dhënat e tyre në listën zgjedhore për të parë nëse ato të dhëna janë të sakta ose jo. Kontrolli bëhet nëpërmjet të dy mënyrave, online në faqen elektronike të KSHZ-së si dhe në zyrat rajonale dhe lokale të KSHZ-së në vendbanimet ku qytetarët jetojnë. Në rast se ka të dhëna jo të sakta në listën zgjedhore qytetarët duhet të drejtohen në zyrat e KSHZ-së për të bërë ndryshimin dhe përmirësimin e këtyre të dhënave”, raporton Fatlume Dervishi, gazetare.
Kërkesë për ndryshim të të dhënave bëhet nëse personi ose ndonjë qytetarë tjetër nuk është i shkruar në listën zgjedhore, nëse është shkruar person që nuk ka të drejtë vote, nuk ka vendbanim në atë komunë ose ndonjë person i vdekur dhe nëse emri dhe adresa e banimit janë shkruar gabim. Ky institucion e ha të hapur edhe mundësinë që përmirësimi i këtyre të dhënave, përveç në zyrat e KSHZ të bëhet edhe në formë elektronike duke paraqitur dhe dëshmi.
Kërkesa për ndryshim të të dhënave
– Nëse ai ose ndonjë qytetar tjetër nuk është i shkruar në listën zgjedhore
– Nëse është shkruar person që nuk ka të drejtë vote, nuk ka vendbanim në atë komunë ose ndonjë person i vdekur
– Nëse emri personal dhe adresa e banimit janë shkruar gabim.
Interesimi për shqyrtimin publik të listës zakonisht është i ulët dhe qytetarët vërejnë se kanë të dhëna të gabuara në ditën e zgjedhjeve, gjë që i pengon të ushtrojnë të drejtën e votës.
Të drejtë vote kanë të gjithë shtetasit e vendit që janë mbi 18 vjet ose mbushin 18 vjet deri në ditën e votimit dhe që kanë dokumente të vlefshme identifikimi. Të drejtë vote kanë edhe qytetarët të cilëve dokumentet e identifikimit u skadojnë nga dita e shpalljes së zgjedhjeve dhe deri në mbajtjen e zgjedhjeve.
Ndërkohë KSHZ-ja ka njoftuar edhe për listën e mediave që kanë fituar të drejtën e programit të paguar politik në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Gjithsej janë 37 televizione, 35 radio, 11 media të shkruara dhe 249 portale, që kanë të drejtën e reklamimit të paguar politik. /Alsat.mk