Kthehet fruthi në Evropë

Fruthi është kthyer prapa në rajonin Evropian të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Sëmundja ka prekur 21.315 njerëz dhe ka shkaktuar 35 vdekje në 2017, pas një rekordi të ulët të 5273 rasteve në 2016.

Zyra Regjionale e OBSh-së për Evropë ka lëshuar të dhëna të reja për 2017, një ditë para se të mbahet takimi ministror për vaksinimin në Mal të Zi, më 20 shkurt.

“Çdo person i ri, i prekur nga fruthi në Evropë, na përkujton se fëmijët dhe të rriturit e pavaksinuar, pa marrë parasysh se ku jetojnë, mbeten në risk të preken nga sëmundja dhe ta përhapin tek të tjerët, të cilët ndoshta nuk kanë qenë në gjendje të vaksinohen. Mbi 20 000 raste të personave të prekur nga fruthi dhe 35 jetëra të humbura vetëm në 2017, janë një tragjedi të cilën thjeshtë ne nuk mund ta pranojmë,” thotë Dr Zsuzsanna Jakab, drejtore e zyrës regjionale të OBSh-së për Evropë.

“Eliminimi i fruthit dhe rubeolës është cak prioritar për të cilin janë zotuar fuqimisht të gjitha shtetet Evropiane e poashtu është bazë për arritjen e Caqeve Zhvillimore të Qëndrueshme për shëndetësi,” vazhdon Dr Jakab. “Kjo vonesë afatshkurtër nuk mund të na pengojë në përpjekjet tona që të jemi gjenerata e cila i liron fëmijët tanë nga këto sëmundje njëherë e përgjithmonë”

Shpërthimet e mëdha të sëmundjes së fruthit prekin 1 në 4 shtete evropiane

Sipas një komunikate të zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në Prishtinë, vala e madhe e sëmundjes së fruthit në vitin 2017 ka përfshirë shpërthime të mëdha 100 apo më tepër raste në 15 nga 53 shtetet në rajon.

“Numrat më të lartë të njerëzve të prekur janë raportuar në Rumani (5562), Itali (5006) dhe Ukrainë (4767). Këto shtete kanë përjetuar një numër sfidash në vitet e fundit, sikurse rënie në mbulimin rutinor të vaksinimit, mbulim konsistent të ulët për disa grupe të margjinalizuara, ndalesa në furnizim të vaksinave ose sisteme jo-performuese të mbikëqyrjes së sëmundjes. Greqia (967), Gjermania (927), Serbia (702), Tagjikistani (649), Franca (520), Federata Ruse (408), Belgjika (369), Mbretëria e Bashkuar (282), Bullgaria (167), Spanja (152), Republika Çeke (146) dhe Zvicrra (105) poashtu kanë përjetuar shpërthime të mëdha të sëmundjes, shumica e të cilave ishin në rënie e sipër në fund të vitit 2017. Veprimet për ndalim të shërthimeve aktuale dhe parandalim të shpërthimeve të reja po ndërmerren në fronte të ndryshme. Ato janë vetëdijësimi i publikut, vaksinimi i profesionistëve të kujdesit shëndetësor dhe të rritu rve tjerë në risk, adresimi i sfidave në qasje dhe përmirësimi i planifikimit të furnizimit dhe logjistikës. Procesi i verifikimit të eliminimit të fruthit dhe rubeolës nga ana e shtetit, e paraqitur në vitin 2012 si masë, ka bërë ofrimin e shteteve të rajonit drejt cakut të përbashkët të eliminimit të fruthit dhe rubeolës. Çdo vit, Komisioni Rajonal për Verifikim (KRV) rishikon të dhënat në nivel vendi dhe aktivitetet e vaksinimit dhe rekomandon veprimet që duhet të ndërmerren për të zgjedhur sfidat specifike me të cilat ballafaqohen shtetet. Që nga fundi i vitit 2016, 42 nga 53 shtete në Rajon kanë ndërprerë transmisionin e fruthit endemik. Megjithatë, shpërthimet e sëmundjes do të vazhdojnë të shfaqen derisa të mbrohet çdo fëmijë dhe i rritur i prekshëm”, thuhet në komunikatë.

Ministrat e Shëndetësisë së 11 shteteve do të takohen më 20 shtator 2018 për të diskutuar mbi bashkëpunimin për arritjen e caqeve të përcaktuara në Planin e Veprimit Europian për Vaksinim (PVEV) deri më 2020, duke përfshirë eliminimin e fruthit dhe rubeolës. Raporti mbarë-rajonal afatmesëm i progresit të PVEV do të prezantohet në sesionin e 68-të të Komitetit Rajonal të OBSh-së për Evropë në shtator 2018.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme