Kufijtë e Bashkimit Evropian vazhdojnë të mbesin të mbyllur për kosovarët.
Një burim brenda Këshillit Evropian, tha për KOHËN se edhe pas rishikimit të listës për vendet e treta që u bë këtë javë, kufijtë e BE-së nuk janë hapur as për kosovarët me viza.
“Shqyrtimi i fundit i listës së vendeve të treta, për të cilat duhet të hiqen kufizimet e udhëtimit është bërë këtë javë, por pa asnjë ndryshim në listë prej herës së fundit”, tha ky burim.
KE-ja më herët ishte pajtuar që prej 1 korrikut të nisë heqjen graduale të kufizimeve në udhëtim, të vëna shkaku i masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, për banorët e disa prej shteteve të treta. Lista, e nxjerrë nga Këshilli më 30 qershor rishikohet për çdo dy javë.
Shkaku i pandemisë së koronavirusit, Bashkimi Evropian kishte mbyllur kufijtë për shumë vende të treta. Kufijtë e brendshëm të bllokut evropian, pra ato mes shteteve anëtare ndërkaq ishin rihapur prej 15 qershorit.
Kufizimet nuk vlejnë për ata që kanë vendbanim në shtetet e Bashkimit Evropian, për disa kategori tjera si mjekët, studentët, diplomatët apo shoferët.
© KOHA.