Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka paralajmëruar se të gjithë ata që do të tentojnë ta dëmtojnë procesin zgjedhor do të dënohen prej 3-5 vjet burgim, shkruan sot gazeta Zëri.
“Të gjithë ata që në çfarëdo mënyre të kundërligjshme veprojnë me qëllim që të cenojnë, pengojnë apo të ndikojnë te ndonjë person gjatë së drejtës për të votuar do të sanksionohen dhe mund të ballafaqohen me burgim deri në 5 vjet”, ka thënë kryeprokurori Lumezi.
Këto komente shefi i Prokurorisë kosovare i ka bërë të hënën gjatë një konference për medie bashkë me shefen e KQZ-së, Valdete Daka, si dhe drejtuesit e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Policisë dhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Po ashtu, sipas tij, të gjithë ata që tentojnë të votojnë në emër të personit tjetër, të tentojnë të votojnë më shumë se një herë dhe të gjithë ata anëtarë të komisioneve zgjedhore që e keqpërdorin detyrën zyrtare gjatë zgjedhjeve dhe tentojnë t’i falsifikojnë rezultatet e zgjedhjeve do të dënohen prej 3 deri në 5 vjet burgim, nëse kjo vërtetohet gjatë procedurës hetimore.
Ai ka shtuar se institucioni që ai e drejton do të jetë plotësisht i angazhuar në ruajtjen e procesit zgjedhor.
“Prokuroria e Shtetit i ka marrë të gjitha masat e duhura dhe janë të gatshëm që ta kenë një rol më aktiv në ndjekjen e veprave penale që cenojnë të drejtën e votimit gjatë procesit të zgjedhjeve”.
Ndërsa, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se bashkëpunimi i KQZ-së do të jetë i madh me të gjitha institucionet e tjera për ta siguruar një proces të lirë dhe të drejtë të votimit në zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për çdo palë zgjedhje është kujdesur që personat të cilët dyshohet se kanë kryer vepër penale dhe kanë bërë shkelje zgjedhore të mos përfshihen në Administratën Zgjedhore, pra në Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, në Këshillat e Vendvotimeve apo në personel. Ne si Komision i zgjedhjeve kemi raportuar të gjitha dyshimet e gjetura tek organet përkatëse. Ne si KQZ jemi të kënaqur me bashkëpunimin që kemi arritur deri më tani me institucionet tjera që puna e tyre lidhet me procesin zgjedhor. Aktualisht jemi në fazën e përgatitjeve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Deri më tani të gjitha përgatitjet janë duke shkuar sipas planit operacional”, ka deklaruar Daka.
Ndërsa kryesuesja e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Gyltene Sylejmani, ka thënë se deri më tani janë shënuar rezultate në parandalimin e shkeljeve zgjedhore dhe, siç tha ajo, në përmirësimin e proceseve zgjedhore në përgjithësi.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Nehat Idrizi, tha se janë të gatshëm ta japin kontributin e tyre që ky proces të zhvillohet si duhet. Ai tha se të gjitha rastet e ngritura nga Prokuroria do të trajtohen me prioritet.
Edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Naim Rexha, tha se Policia e Kosovës është në fazën përgatitore për zgjedhjet e 11 qershorit.
“Policia e Kosovës aktualisht është në fazën përgatitore të aspekteve ndërlidhëse të tërë operacionit të zgjedhjeve. Ne do t’u përmbahemi të gjitha elementeve të sanksionuara në memorandum. I tërë angazhimi i Policisë së Kosovës do të jetë në realizimin e një procesi zgjedhor të drejtë”, ka thënë ai.