Vendimi dënues ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë u përcoll me protesta në Prishtinë, ku pati edhe incidente të izoluara pas shpalljes së aktgjykimit.
Të mërkurën, më 16 shtator, menjëherë pas shpalljes së vendimit, shumë qytetarë u mblodhën para selisë së EULEX-it në Prishtinë për të kundërshtuar aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Gjatë protestës, disa persona hodhën shishe dhe mjete piroteknike në drejtim të objektit të EULEX-it.
Më pas, një pjesë e protestuesve vazhduan drejt objektit të Qeverisë së Kosovës, ku pati gjithashtu hedhje të mjeteve në drejtim të ndërtesës. Për këtë arsye, Policia e Kosovës ndërhyri për të parandaluar përshkallëzimin e situatës dhe ndaloi disa persona.
Në prag të protestës së radhës, Policia e Kosovës u bëri thirrje qytetarëve dhe protestuesve që të respektojnë ligjin dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë, si dhe që protestat të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe të sigurt.
Përmes një njoftimi, policia kërkoi nga protestuesit të tregojnë maturi, të mos përdorin maska dhe të mos hedhin mjete të forta apo sende të tjera gjatë protestës.
“Me qëllim të garantimit të rendit e sigurisë publike, mbrojtjes së jetës dhe pronës si dhe ofrimit të sigurisë ndaj qytetarëve e pjesëmarrësve në protestë, Policia e Kosovës iu bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në çdo protestë që të respektojnë dispozitat ligjore dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë, të tregojnë kujdes e maturi gjatë protestimit, të mos hedhin gjësende e mjete të forta, të mos përdorin maska dhe të kontribuojnë që protesta të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe të sigurt”, thuhet në njoftim.
“Destabilizimi mund të fillojë me provokime të vogla”
Incidentet e shënuara gjatë protestave pas vendimit të Dhomave të Specializuara ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të trajtohen me seriozitet nga institucionet e sigurisë, por pa u krijuar panik dhe pa u barazuar protesta qytetare me aktet e dhunës.
Kështu vlerëson eksperti i sigurisë, Fidair Berisha për “Bota sot”, i cili thotë se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë dhe të shprehin pakënaqësitë e tyre, ndërsa sulmet ndaj institucioneve dhe përdorimi i mjeteve të forta përbëjnë një çështje tjetër.
“Nga këndvështrimi im si njohës i sigurisë, mendoj se incidentet e fundit duhet të merren seriozisht, por pa krijuar panik apo pa e barazuar protestën qytetare me dhunën. Natyrisht duhet ta kuptojmë popullatën, e cila ka të drejtë për të protestuar dhe për të shprehur pakënaqësitë e tyre, ndërsa sulmet ndaj institucioneve, përdorimi i mjeteve të forta dhe përpjekjet për të shkaktuar përplasje janë çështje krejtësisht tjetër”, shprehet Berisha.
Sipas tij, prania e personave të maskuar dhe hedhja e gurëve apo mjeteve të tjera në drejtim të institucioneve duhet të shihet si sinjal që kërkon vëmendje të shtuar nga mekanizmat e sigurisë.
“Fakti që në protesta janë shfaqur persona të maskuar dhe janë hedhur gurë apo mjete të tjera drejt objektit të EULEX-it, e më pas janë shënuar incidente edhe në zona të tjera institucionale, për mua është një sinjal që kërkon vëmendje të shtuar nga të gjithë mekanizmat e sigurisë. Mund të them se rreziku më i madh në situata të tilla është instrumentalizimi i emocioneve qytetare. Pas një vendimi kaq sensitiv, emocionet janë të pritshme dhe mund të jenë edhe më të mëdha”, thotë ai.
Berisha thekson se pikërisht në situata të tilla mund të ketë përpjekje për të shfrytëzuar pakënaqësinë e qytetarëve për të provokuar incidente apo për ta zhvendosur vëmendjen nga protesta paqësore tek aktet e dhunshme.
Pikërisht në këtë moment, individë ose struktura të caktuara mund të tentojnë të shfrytëzojnë këtë pakënaqësi për të provokuar incidente, për të krijuar përplasje me Policinë apo për ta zhvendosur fokusin nga protesta legjitime tek dhuna. Prandaj, institucionet duhet të jenë të vëmendshme dhe të analizojnë me kujdes çdo zhvillim, pa paragjykuar protestuesit dhe pa e trajtuar çdo pjesëmarrës në protestë si kërcënim për sigurinë”, shprehet eksperti.
Duke folur për mundësinë e ndërhyrjes së BIA-s serbe apo strukturave të tjera të jashtme në protestat në Kosovë, Berisha kërkon kujdes në deklarime dhe thotë se akuzat duhet të mbështeten në prova konkrete.
“Sa i përket mundësisë së ndërhyrjes së BIA-s apo strukturave të tjera të jashtme dashakeqe, unë do të isha shumë i rezervuar që të mos bëjmë akuza pa prova konkrete. Rrjedhimisht, në fushën e sigurisë, një dyshim nuk mund të trajtohet me automatizëm si fakt. Por, në të njëjtën kohë, institucionet duhet ta konsiderojnë edhe këtë si një nga skenarët që duhet të analizohet dhe të verifikohet përmes inteligjencës dhe hetimeve profesionale”, deklaron Berisha.
Sipas tij, çdo informacion apo indicie për infiltrime, manipulim apo nxitje të dhunës duhet të hetohet dhe të dokumentohet përmes mekanizmave institucionalë.
“Nëse ka indicie për infiltrime, manipulim apo nxitje të dhunës nga aktorë të jashtëm, ato duhet të dokumentohen dhe të trajtohen përmes mekanizmave ligjorë. Nuk është e drejtë që çdo incident të atribuohet menjëherë një aktori të jashtëm, por as nuk duhet të përjashtohet paraprakisht asnjë skenar që mund të paraqesë rrezik për sigurinë. Kjo duhet të bëhet përmes punës profesionale të institucioneve dhe jo përmes deklarimeve të pabazuara”, thekson ai.
Eksperti i sigurisë thotë se institucionet duhet të bëjnë dallim të qartë mes qytetarëve që protestojnë në mënyrë paqësore dhe individëve që përdorin dhunë apo sulmojnë institucionet.
“Ajo që duhet të bëjnë institucionet është të ruajnë një vijë shumë të qartë ndarëse: protestuesi paqësor nuk duhet të trajtohet si kërcënim, ndërsa personi që përdor dhunë, sulmon institucione apo tenton të provokojë përplasje duhet të identifikohet dhe të përballet me ligjin. Andaj kërkohet që institucionet e inteligjencës të jenë të angazhuara në monitorimin e situatës, si dhe në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës”, thotë Berisha.
Ai vlerëson se institucionet duhet të veprojnë në mënyrë proporcionale, duke garantuar njëkohësisht sigurinë dhe të drejtën e qytetarëve për protestë.
“Në vlerësimin tim, sfida kryesore tani është që institucionet të mos lejojnë që emocionet e krijuara pas vendimit të Hagës të shndërrohen në një krizë më të gjerë të sigurisë. Gjithashtu kërkohet të parandalohet dhuna, por njëkohësisht duhet të mbrohet e drejta e qytetarëve për protestë. Çdo veprim i institucioneve duhet të jetë proporcional, i bazuar në prova dhe në ligj”, shprehet ai.
Berisha paralajmëron se situatat e tensionuara mund të përshkallëzohen nëse nuk menaxhohen me kohë dhe në mënyrë profesionale.
“Në raste të tilla, destabilizimi nuk fillon domosdoshmërisht me një incident të madh. Mund të fillojë me provokime të vogla, përhapje të informacionit të rremë, përplasje dhe pastaj të zgjerohet nëse institucionet nuk reagojnë me kohë. Prandaj, parandalimi, informacioni i verifikuar dhe menaxhimi profesional i turmave janë shumë më të rëndësishme sesa reagimi vetëm pasi situata të ketë eskaluar”, thotë eksperti.
Në fund, ai thekson nevojën që institucionet e sigurisë të jenë vigjilente ndaj çdo tentative për manipulim apo provokim, pa cenuar të drejtën e qytetarëve për të protestuar.
“Institucionet e sigurisë duhet të mbrojnë të drejtën për protestë, por njëkohësisht të jenë shumë vigjilente ndaj çdo tentative për manipulim, provokim apo destabilizim të situatës. Qasja duhet të jetë profesionale, e bazuar në informacion të verifikuar dhe në koordinim ndërmjet institucioneve, në mënyrë që të parandalohet çdo përshkallëzim i mundshëm”, përfundon Fidair Berisha.
“Kujdesi nga maskat”
Protesta kundër vendimit në Hagë kanë shënuar të hënën ditën e gjashtë, ndërsa thirrje për kujdes ka bërë edhe analisti politik Ali Hertica.
Hertia në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se duhet kujdes nga persona apo grupe që mund të tentojnë ta devijojnë protestën dhe të krijojnë incidente.
“Duhet të kemi shumë kujdes nga turma dhe nga çdo rrymë ekstremiste që mund të përpiqet ta devijojë protestën. Edhe nëse nuk mund të dimë se kush qëndron pas një provokimi, duhet të jemi të vetëdijshëm se çdo incident i tillë mund të përdoret për ta dëmtuar imazhin e Kosovës dhe të çlirimtarëve”, ka deklaruar Hertica.
Ai thotë se pas personave të maskuar nuk mund të supozohet automatikisht se qëndron një entitet i vetëm, por sipas tij, institucionet duhet të jenë të vëmendshme ndaj çdo përpjekjeje për manipulim.
“Pas maskave nuk fshihet domosdoshmërisht ndonjë entitet i vetëm apo person i caktuar, por mund të jenë njerëz, interesa apo realitete që kërkojnë të fshehin identitetin, qëllimet ose përgjegjësinë e tyre. Prandaj, duhet shumë kujdes nga këto maska”, u shpreh ai.
Hertica vlerëson se pakënaqësia qytetare pas vendimit të Gjykatës Speciale mund të shfrytëzohet nga aktorë të ndryshëm për të nxitur tensione.
“Protesta dhe pakënaqësia qytetare janë të drejta legjitime, por duhet të bëhet dallimi mes protestuesve paqësorë dhe atyre që mund të kenë agjenda të tjera. Çdo përpjekje për ta shndërruar një protestë në dhunë do të ishte në dëm të Kosovës dhe vetë kauzës që protestuesit pretendojnë se përfaqësojnë”, tha Hertica.
Duke folur për mundësinë e ndërhyrjeve të jashtme, ai theksoi se institucionet e sigurisë duhet ta trajtojnë me seriozitet çdo dyshim për infiltrime apo manipulime.
“Në Kosovë, në pak më shumë se dy vjet, janë arrestuar disa persona nën dyshimin se kanë spiunuar për Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë, BIA. Këto raste tregojnë se duhet të jemi shumë të kujdesshëm ndaj çdo përpjekjeje të mundshme për ndërhyrje apo destabilizim”, deklaroi ai.
Sipas Herticës, kjo nuk do të thotë se duhet të akuzohet dikush pa prova, por institucionet nuk duhet ta neglizhojnë asnjë mundësi që mund të cenojë sigurinë e vendit.
“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm në këtë drejtim. Nuk duhet të akuzohet askush pa prova konkrete, por institucionet duhet të jenë vigjilente dhe të mos lejojnë asnjë lëvizje të dyshimtë që mund të cenojë rendin dhe sigurinë”, tha ai.
Hertica theksoi gjithashtu se e drejta për protestë duhet të respektohet, ndërsa institucionet, organizatorët dhe partitë politike duhet të kontribuojnë që protestat të mbeten paqësore.
“Partitë politike dhe organizatorët kanë përgjegjësi të bëjnë thirrje për qetësi dhe të distancohen nga çdo akt dhune. Çdo provokim apo përplasje me institucionet mund të përdoret nga aktorë të ndryshëm kundër Kosovës. Prandaj, duhet shumë kujdes nga këto ‘maska’ dhe nga çdo përpjekje për ta devijuar një reagim qytetar në një situatë që mund të cenojë stabilitetin e vendit”, përfundoi Hertica.



