Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur për kp, se është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave dhe vendimmarrjes së institucioneve përkatëse para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një përgjigje për KosovaPress, ka thënë se mbetet të shihet nëse vendimet e institucioneve kompetente do të përmbajnë obligime konkrete për t’u zbatuar nga KQZ-ja.
“KQZ është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave dhe vendimmarrjen e institucioneve përkatëse. Mbetet të shihet nëse vendimet e tyre përmbajnë obligime konkrete për KQZ-në për t’i zbatuar dhe pastaj për të proceduar me aktin e shpalljes së rezultateve përfundimtare. Nëse këto vendime s’përmbajnë diçka të tillë, atëherë pasi bëhen të plotëfuqishme, KQZ është e gatshme menjëherë t’i shpall rezultatet përfundimtare”, tha ai në përgjigjen e KQZ-së për KosovaPress.
Sipas tij, shpallja e rezultateve përfundimtare nuk nënkupton përmbylljen e procesit zgjedhor, pasi subjektet politike dhe palët e tjera kanë të drejtë ankese edhe ndaj këtyre rezultateve.
“Shpallja e rezultateve përfundimtare nuk e përmbyll procesin zgjedhor, pasi palët kanë të drejtë ankese ndaj këtyre rezultateve. KQZ, ngjashëm si tani, duhet të presë afatin e ankesave dhe vendimmarrjen e institucioneve përkatëse, t’i zbatojë vendimet e tyre nëse përmbajnë obligime dhe pastaj të procedojë me certifikimin e rezultateve”, tha ai.



