Ka pesë muaj që Naimi, 30-vjeçar, është duke pritur një përgjigje nga ambasada gjermane në Prishtinë, për tu pajisur me vizë udhëtimi në këtë shtet.
Arsyeja pse ai ka kërkuar vizën ndërlidhet me problemet e tij shëndetësore. Ai vuan nga një sëmundje e zemrës, për të cilën i është rekomanduar operimi. Një intervenim i tillë, për rastin e Naimit nuk kryhet në Kosovë, andaj ai është i shtrënguar të kërkojë trajtim mjekësor jashtë Kosovës.
Babai i tij 65-vjeçar, Jakupi, tha për Radion Evropa e Lirë teksa priste së bashku me të birin para ambasadës gjermane, se ata po përballen me sfidën e pritjes së gjatë që të pajisen me vizë.
“Ka pesë muaj që presim për vizë. Kërkesën e kemi bërë në ambasadën gjermane. Nuk ka përgjigje. Ka shumë parregullsi në ambasada. Erdhëm para ambasadës vetëm të shohim se çka po ndodhë dhe ka shumë njerëz. Në Kosovë nuk mund të kryhet një operacion i tillë i zemrës çfarë djali duhet ta bëjë”, tha Jakupi.
Por, njerëz me halle shëndetësore që presin sikurse Naimi, ka me mijëra.
Ambasadat e shteteve të Bashkimit Evropian në Kosovë, i kanë procedurat e veta, pavarësisht rasteve që ndërlidhen me trajtime mjekësore.
Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, thotë se marrja e një vize për qytetarët e Kosovës mbetet sfidë, jo vetëm për ata që duan të shëtisin në Evropë e më gjerë, por edhe për njerëzit që luftojnë me jetën.
“Ne në vendin e punës kemi pasur rastin kur djali 14-vjeçar i një koleges, i cili ka vuajtur nga një sëmundje malinje për të cilën nuk ka pasur shërim brenda Kosovës, nuk ka mundur të shkojë jashtë vendit. Ndonëse edhe spitali në vendin evropian është paguar rreth 40 mijë euro, në Prishtinë i është refuzuar viza nga ambasada përkatëse”, thekson ai.
“Paramendoni deri ku ka shkuar problemi i marrjes së një vize. Aq jemi të diskriminuar. Ka pasur raste kur edhe duke pritur vizë, pacientët kanë vdekur. Ku është klasa jonë politike kur qytetarët e tyre përballen pikërisht me këto probleme”, tha Syla.
Në Ministrinë e Shëndetësisë, Albatrit Matoshi, këshilltari i ministrit, tha për Radion Evropa e Lirë se hallet e pacientëve janë mjaft të mëdha edhe pa procedurat burokratike për të marrë një vizë, e që shpeshherë ka ndodhur që ndonëse të hollat u janë alokuar nga fondi i dedikuar për programin e trajtimit jashtë institucioneve publike shëndetësore, atyre u është refuzuar viza.
“Padyshim që liberalizimi i vizave do t’u ndihmonte qytetarëve, por edhe Ministrisë së Shëndetësisë. Them kështu, pasi që edhe kur zotohen mjete për sëmundje të caktuara, qytetarët duhet kaluar nëpër procedura shumë të mundimshme për të marrë vizë, që është edhe e kushtueshme. Mendoj se ata i kanë hallet e veta të mëdha edhe pa kaluar në këto procedura burokratike për t’u pajisur me vizë”, tha Matoshi.
Sidoqoftë, mospërfshirja e Kosovës në kuadër të zonës së lëvizjes së lirë, pa viza, po u kushton shumë qytetarëve, të cilët për nevoja të ndryshme duan të nisen drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Sfida më e madhe mbetet për pacientët të cilët nuk mund të marrin shërbimet shëndetësore brenda Kosovës dhe vihen në kërkim të shërimit jashtë vendit. Por, sfidë më vete, mbetet edhe pajisja e tyre me vizë.