Ishte LDK-ja e Isa Mustafës që ia mundësoi uljen në krye të legjislativit Kadri Veselit, që gjithmonë e kishin adresë për akuza dhe, Hashim Thaçin po votat e LDK-së e ulën në karrigen e të parit të shtetit, në këmbim të postit të kryeministrit.
Por, tash kur janë shpeshtuar deklaratat nga zyrtarë të PDK-së për zgjedhje të parakohshme, LDK-ja ka nisur t’i ringjallë akuzat e vjetra, raporton KTV.
Vetëm muajin e fundit pati disa zyrtarë të LDK-së që u përplasën me PDK-në, duke i akuzuar për vrasjet e pasluftës.
Por, deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, thotë se tash LDK-së i mungon legjitimiteti e kredibiliteti të flasë për vrasjet e pasluftës.
Ndërsa, Valdete Bajrami nga Nisma, e quan hipokrizi lojën që, sipas saj, LDK-ja po e bën me aktivistët e saj të vrarë.
Analisti Imer Mushkolaj, thotë se LDK-ja po bën biznes me vrasjet e pasluftës e Driton Selmanaj deklaron se këto vrasje nuk ka gatishmëri t’i zbardhë as vetë drejtësia.
Ndryshe, deklarimet e deputetëve të PDK-së kundër kësaj qeverie veç sa po shtohen.
Tashmë hapur deklarojnë se do t’i bashkohen një nisme të opozitës për t’i kërkuar votëbesimin Qeverisë së Isa Mustafës.
© KOHA.